Llapi dhe Drita kualifikohen në finale të Kupës
Në finale të Kupës së Kosovës në futboll janë kualifikuar Llapi dhe Drita, raporton “Epoka e re”.
Llapi është kualifikuar pas fitore me rezultat 2-0 ndaj Prishtinës në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Në pjesën e parë, Prishtina kaloi në epërsi, por goli u anulua pasi Otto John ishte në pozitë jashtë loje.
Në minutën e 58-të, Llapi shënon golin e epërsisë nëpërmjet Bianor Neto. Ramdani pati mundësinë të dyfishon rezultatin, por gjuajtjen e tij nga penalltia e ndali portieri Haxho. Njëmbëdhjetë minuta para fundit Rivera shënoi golin e dytë dhe të kualifikimit. Ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri”, Prishtina e kishte fituar me rezultat 2-1.
Në ndeshjen tjetër Ramiz Sadiku dhe Drita luajtën baras 2-2. Vendasit shënuan të parët në minutën e 56-të, kur Sadiku realizoi nga penalltia. Musa shtoi shifrat në 2-0, kurse Drita nuk u dorëzua dhe nuk lejoi befasi duke shënuar dy gola të shpejtë. Realizues ishin Tahiri dhe Kryeziu në minutat e fundit të ndeshjes. Drita kualifikohet për faktin se ndeshjen e parë e fitoi me rezultat 3-0.
/Veton ZYMBERI/