Llapi e Ballkani nuk lejojnë befasi, Feronikeli ’74 eliminon Trepçën’89
Me katër ndeshjet e sotme të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës ka filluar pjesa e dytë e edicionit të garave në futbollin e Kosovës. Tashmë janë mësuar katër skuadrat e para çerekfinaliste në garat e kupës.
Fituesi i edicionit të kaluar, Llapi ka kaluar në mesin e tetë skuadrave më të mira, ngase të shtunën në stadiumin “Përparim Thaçi” e ka mundur Lirinë, me rezultat 3:2. Të parët në epërsi kaluan prizrenasit në minutën e 18-të, kur Liridon Fetahaj u tregua i saktë nga penalltia. Mirëpo, llapjanët reaguan shpejt dhe arritën të përmbysin rezultatin me golat e Kushtrim Shabanit (21’) dhe Francisco Riveras (41’). Llapi e nisi rrufeshëm pjesën e dytë dhe çoi shifrat 3:1 vetëm pas 40 sekondash, kur Drilon Fazliu shënoi nga afërsia pas asistimit të Gerhard Prognit. Liria deri në fund nuk arriti ta ndryshojë epilogun e ndeshjes, përveçse ta ngushtojë disavantazhin me golin e Ermir Abazit në minutat shtesë.
Tutje në çerekfinale ka kaluar edhe kampioni në fuqi, Ballkani, që e ka mposhtur skuadrën e Ligës së Parë, A&N, me rezultat 2:0. Megjithatë, portokallezinjtë kanë vuajtur jo pak për të thyer rezistencën e skuadrës prizrenase. Golin e parë e realizoi Albion Rrahmani, në minutën e 86-të, teksa rezultatin përfundimtar e vulosi Lumbardh Dellova, në minutën e 91-të
Për befasinë e ditës u përkujdes Feronikeli ’74, që në stadiumin “Rexhep Rexhepi” e mposhti skuadrën e elitës, Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Fitim Susuri, me gjuajtje të fortë nga distanca në minutën e 42-të.
Ndërkaq, pjesë e çerekfinales do të jetë edhe Vushtrria që arriti ta mposhtë Flamurtarin në kryeqytet pas penalltive, ngase ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll 1:1. Në serinë e penalltive vushtrriasit fituan 4:3.
Katër ndeshjet e tjera të 1/8 së finales zhvillohen nesër, ku takohen: Gjilani – Vjosa, Behari – Prizreni, Malisheva – Fushë Kosova dhe Prishtina – Dukagjini.