Llapi e Vëllaznimi realizuan fitore të rëndësishme
Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 26-të në Vala Superligë. Llapi ka shënuar fitore para tifozëve të vet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke e mposhtur Gjilanin, me rezultat 1:0.
Deri te kjo fitore tejet e rëndësishme që i mbanë ende me shpresa në garën për titullin e kampionit, llapjanët arritën duke iu falënderuar golit të shënuar nga Mirlind Daku, në minutën e 49-të nga penalltia, pasi paraprakisht u ndal në mënyrë të palejuar brenda zonës nga Ylber Kastrati. Do theksuar se nga minuta e 77-të Llapi luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ilir Blakçorit. Pas kësaj fitoreje Llapi ngjitet në pozitën e katërt, me 42 pikë, derisa Gjilani mbetet në pozitën e shtatë, me 39 pikë. Fitore para tifozëve të vet dhe me të njëjtin rezultat shënoi edhe Vëllaznimi në ballafaqim me Drenicën. Golin e fitores për gjakovarët e shënoi Lekë Vula, në minutën e 24-t, pas një reagimi të dobët të portierit Flamur Neziri. Drenica pati mundësi për ta barazuar rezultatin në minutën e 68-të, por Genc Hamiti nuk ishte i saktë nga penalltia. Ndërkohë, në minutat shtesë drenicasve u mungoi edhe fati, kur Drilon Osmani nga 25 metra e qëlloi traversën. Tani Vëllaznimi ka 35 pikë dhe është vetëm një pikë larg Drenicës, e cila renditet në pozitën e 8-të, që siguron ikjen nga barazhi.