Llapi finalizon transferimin e Mulajt
Skuadra e Llapi të mërkurën ka njoftuar se ka finalizuar transferimin e talentit të ri, Erlind Mulaj. Ai ka nënshkruar kontratë profesionale me klubin llapjan. 18-vjeçari është sulmues i krahut të majtë, derisa ka shkëlqyer me aftësitë e tij në fushën e lojës.
Duke filluar karrierën e tij te FC Istogu, ai ka debutuar në ekipin e parë që në moshën 16-vjeçare dhe ka kontribuar me 3 gola të realizuar. Statistikat e tij impresionuese përfshijnë 43 gola dhe 32 asistime në U-19 të FC Istogu gjatë dy sezoneve me ekipin, një sezon në Ligën e Parë dhe së fundmi në Superligë.
“Transferimi i Erlind Mulaj është një hap i rëndësishëm për KF Llapin në përpjekjet tona për të forcuar ekipin tonë dhe për të zhvilluar talentë të rinj në fushën e futbollit. Ne e mirëpresim Erlindin në familjen tonë dhe i urojmë atij sukses në rrugën e tij të re me KF Llapin”, thuhet në njoftimin e Llapit.