Llapi fiton derbin ndaj Dritës

15 shtator 2024 | 17:07

Llapi ka shënuar fitore me rezultat 1-0 ndaj Dritës në kuadër të javës së pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Mysafirët e nisën më mirë takimin duke kontrolluar tempon e lojës dhe herë pas here duke sulmuar Llapin, por pa arritur që të krijojnë ndonjë rast të pastër shënimi. I pari që rrezikoi në këtë sfidë ishte Besnik Krasniqi i cili në minutën e 35-të provoi një gjuajtje e cila shkoi mbi portë.

Me rezultat të barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të këtij ballafaqimi. As pjesa e dytë nuk prodhoi shumë sa i përket rasteve për gol, megjithatë Llapi ia arriti që të shënojë krejt në fund të takimit për të rrëmbyer tri pikë.

Ishte Blendi Baftiu ai i cili u përkujdes për t’i dhuruar Llapit fitoren e parë pas tri ndeshjeve duke shënuar për 1-0 pak çaste para fundit të takimit.

Llapi tani numëron shtatë pikë dhe mban pozitën e pestë në tabelë, ndërsa Drita renditet në pozitën e tetë me tri pikë, por me dy ndeshje më pak të zhvilluara. Javën e ardhshme Drita do të luajë derbin ndaj Ballkanit në shtëpi, ndërsa Llapi do të jetë mysafir i Ferizajt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oscar Piastri ka hedhur kandidaturën për t’u bërë emri i…