
Llapi fiton derbin ndaj Gjilanit, Malisheva pëson humbje nga Drita
Gjilani është mposhtur nga Llapi në kryendeshjen e javës së tetë në Superligën e Kosovës në futboll.
Ekipi llapjan triumfoi minimalisht 0:1 në udhëtim, për ta marrë vetëm fitoren e dytë këtë edicion. Ishte Kushtrim Shabani i cili realizoi në minutën e 82-të, gol ky që kishte vlerën e tri pikëve. Me këtë fitore, tani Llapi ngjitet në vendin e gjashtë me tetë pikë, kurse Gjilani mbetet i dyti me 14 sosh, tri më pak se liderja, Drita.
Në anën tjetër, Drita ka shënuar fitore 2:4 ndaj Malishevës në udhëtim. Për “Intelektualët” realizuan Besnik Krasniqi nga penalltia, Marko Simonovski, Almir Kryeziu dhe Almir Ajzeraj. Kurse, golat për vendasit i shënuan Marc Olivier dhe Hazrollaj.
Me këtë fitore, Drita tani shkon në kuotën e 17 pikëve në vendin e parë, kurse Malisheva mbetet në kuotën e shtatë pikëve në pozitën e shtatë.