Llapi, kampion në Ligën e Parë

15 maj 2024 | 12:08

Llapi është kampion në Ligën e Parë të Kosovës në hendboll. Llapi dhe Podujeva kanë dëshmuar edhe një herë që janë qendër e rëndësishme e hendbollit kosovar në përgjithësi dhe trevë prej nga dalin hendbollistë cilësorë.

Titullin e kampionit, llapjanët e siguruan të martën me fitoren 36:18 ndaj Istogut. Ndeshja i takoi xhiros së 18-të, përkatësisht të fundit dhe u zhvillua në Podujevë.

Artir Muçiqi i shënoi shtatë gola për Llapin. Nga pesë i kishin Rifat Visoka e Fatlum Hasani, ndërsa nga katër i kishin Etnik Bajoku, Blerton Hasani e Edi Lushaku.

Llapi e përfundoi kampionatin me 32 pikë, përkatësisht me 16 fitore e dy disfata dhe e ka siguruar paraqitjen në Superligë në edicionin e ardhshëm garues.

Me 32 pikë kampionatin e ka përfunduar edhe Vjosa e Shtimës, që është nënkampione. Vjosa do të luaj në barazh për inkuadrim në Superligë.

Kupën e kampionit për skuadrën e Llapit e ndanë komesari i garave, Isak Osmani dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Podujevë, Vlora Humolli – Jashanica.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City pas fitores ndaj Tottenham Hotspur (0-2), i është…