Llapi kërkon fitoren e dytë ndaj Prishtinës
IPKO Superliga sot (e shtunë) sjell dy ndeshje derbi. Në Podujevë Llapi e pret Prishtinën, kurse në Drenas takohen Feronikeli dhe Drita.
Skuadra e Llapit në ndeshjen e parë të këtij edicioni e mposhti Prishtinën (0-1) në sfidën që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të njëjtën gjë skuadra e Tahir Batatinës synon ta bëjë edhe në ndeshjen kthyese, e cila zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe që është e vlefshme për xhiron e pesëmbëdhjetë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Trajneri Batatina për “Epokën e re” e ka vlerësuar të vështirë përballjen me skuadrën “bardhekaltër” për faktin se në radhët e veta ka shumë lojtarë cilësorë. “Jemi përgatitur sepse e dimë se kemi të bëjmë me një skuadër të fuqishme dhe shumë serioze. Ajo ka super lojtarë dhe përvojë të madhe, por ne e kemi marrë si çdo ndeshje tjetër dhe do ta japim maksimumin në terren. Lojtarët janë shumë të motivuar për këtë ndeshje dhe do ta japim maksimumin për ta arritur synimin”, ka thënë Batatina.
Ndërsa futbollistët e skuadrës kryeqytetase nuk kanë qenë të gatshëm të flasim për ndeshjen derbi ndaj Llapit, kurse klubi me anë të një shkrimi në faqen zyrtare ka pyetur se a do të jetë skuadra e gatshme të këndellet pas dy ndeshjeve pa fitore në elitë. “A mund të këndellet Prishtina që në ndeshjen me Llapin? ‘Bardhekaltrit’ janë dy ndeshje pa fituar dhe tani i pret tjetër ndeshje e vështirë, në Podujevë te rivalët e Llapit. Se a mundet Prishtina ta fillojë këndelljen nga kjo përballje, mbetet të shihet në ndeshjen e së shtunës. Por, çdo ekip i madh, kur nuk i mungon cilësia, e merr veten pikërisht nga përballjet e vështira. Përndryshe, dy skuadrat ndajnë pozitat 4 dhe 5 me nga 24 pikë të tubuara, ndërsa skuadra llapjane pati fituar ndeshjen e parë të këtij edicioni duke triumfuar për herë të parë në histori të klubit në ‘Fadil Vokrri’”, thuhet në shkrimin e skuadrës së Prishtinës, e cila përballjen e fundit si vendëse e humbi nga Feronikeli me rezultat 2-3, kurse paraprakisht luajti me Dukagjinin me rezultat 0-0.
Krahas kësaj ndeshje, sot (e shtunë) zhvillohet edhe ndeshja tjetër derbi, ku kampioni në fuqi, Feronikeli, e pret skuadrën e Dritës. “Nikli” në ndeshjen e fundit fitoi në Prishtinë dhe motivi është rritur për t’i ndjekur skuadrat e para në renditjen tabelore, kurse Drita në mesjavë mezi e mposhti Dukagjinin e Klinës (1-0) dhe synim e ka të marrë një rezultat pozitiv në Drenas.
Dy ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje zhvillohen nesër (e diel) dhe java e pesëmbëdhjetë mbyllet të hënën me dy përballjet e fundit.
IPKO Superliga
Të shtunën takohen:
13:00 Llapi – Prishtina
13:00 Feronikeli – Drita
Të dielën takohen:
13:00 Trepça ’89 – Ballkani
13:00 Gjilani – Drenica
Të hënën takohen:
13:00 Vushtrria – Ferizaj
13:00 Dukagjini – Flamurtari
LIGA E PARË
Të shtunën takohen:
Ramiz Sadiku – Vllaznia
Të dielën takohen:
Onix – Dardana
Drenasi – Vitia
Trepça – Vëllaznimi
Liria – Istogu
Ulpiana – Arbëria
2 Korriku – KEK-u
Besa – Malisheva
/Veton ZYMBERI/