Llapi konfirmon largimin e Avdylit

23 dhjetor 2024 | 15:51

Skuadra e Llapit ka konfirmuar se portieri Ilir Abdyli nuk do të jetë më pjesë e skuadrës. Klubi llapjan e ka vlerësuar Avdylin si figurë kyçe në suksesin e skuadrës.

“KF Llapi njofton se pas një periudhe të jashtëzakonshme bashkëpunimi, portieri ynë Ilir Avdyli, me marrëveshje, ka përfunduar aventurën e tij me klubin tonë. Gjatë tri viteve e gjysmë, Iliri ka qenë një figurë kyçe në skuadrën tonë, duke dhënë gjithmonë maksimumin e tij në fushë dhe jashtë saj. Profesionalizmi, përkushtimi dhe pasioni që ai tregoi gjatë këtyre viteve do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së klubit tonë. Gjatë kohës së tij me KF Llapi, ai ka qenë një lider i vërtetë dhe një shembull frymëzues për të gjithë. Arritjet e përbashkëta dhe kujtimet që kemi ndarë së bashku do të mbeten gjithmonë të paharrueshme”, thuhet në njoftimin e Llapit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina e ka falënderuar portierin për dashurin që ka treguar për fanellën e klubit nga Podujeva.

“142 ndeshje, 48 prej tyre pa pranuar gol, shumë pritje vendimtare të tij, një Kupë e Kosovës dhe një Superkupë, janë pjesë e statistikave të jashtëzakonshme të tij që ndihmuan klubin në sukseset e arritura. Faleminderit, Ilir, për çdo pritje, për çdo moment të veçantë dhe për dashurinë që ke treguar ndaj fanellës sonë. KF Llapi të uron nga zemra suksese të mëdha në kapitullin tënd të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti në detyrë i Sirisë, Ahmed Husein Al Saraa, duket se…