![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/kf-llapi-e1739369812928.jpg)
Llapi, Malisheva dhe Vëllaznimi kalojnë në çerekfinale të Kupës së Kosovës
Llapi, Malisheva dhe Vëllaznimi janë tri skuadrat e radhës që kanë fituar ndeshjet e 1/8-tës për të kaluar në fazën çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Sot (e mërkurë) kanë qenë në program për t’u zhvilluar pesë ndeshje të 1/8-tës, ku katër kanë filluar nga ora 12:30 dhe një tjetër pritet të nis nga ora 17:00.
Nga katër ndeshjet e para, tri ekipe kanë fituar brenda 90 minutave lojë për të siguruar kalimin në çerekfinale, teksa Drita dhe Dukagjini kanë shkuar në vazhdime pas barazimit 0-0 në kohën e rregullt.
Në ndeshjen e parë, Llapi mposhti Vushtrrinë me rezultat 2-0, ku golat u shënuan nga Erdin Dushi (13’) autogol dhe Elvir Gashijani (49’).
Takimi tjetër mes Dinamos së Ferizajt dhe Malishevës i takoi mysafirëve nga Superliga, duke fituar me rezultat të njëjtë si ndeshja e parë, falë golave nga Arlind Veliu (31’) dhe Drilon Hazrollaj (40’).
Takimi tjetër apo befasia erdhi nga ekipi i Ligës së Parë, Vëllaznimi, i cili eliminoi Gjilanin pasi e mposhti me rezultat 2-1 me golat e shënuar nga Viktor Kuka (23’) dhe Norik Krasniqi (75’) për vendasit, ndërsa mysafirët shënuan në minutën e 86-të golin.
Ndeshja e fundit e ditës së sotme është ajo në mes të Prishtinës dhe Suharekës e cila zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri.