Llapi mbetet pjesë e Sigal Superligës, fiton ndaj Vizionit
Skuadra e Llapit edhe në edicionin e ardhshëm do të garojë në Sigal Superligë në konkurrencën e vajzave.
Llapjanet, të martën, në Kampin Nacional në Hajvali, shënuan fitore ndaj Vizionit, me rezultat 3:2, në ndeshjen e barazhit. Llapi e mbylli edicionin në Sigal Superligë në pozitën e 7-të dhe si rrjedhojë u detyrua të luajë në barazh me Vizionin, skuadër kjo që doli e dyta në Ligën e Parë. Loja ishte mjaft interesante dhe e baraspeshuar, e ku diferencën e bëri futbollistja llapjane, Aurora Mulliqi, e cila shënoi “Hat-Trick”.
Llapi krijoi epërsi prej 2:0 me golat e Aurorës në minutat 20′ dhe 32′, por ferizajaset nuk u dorëzuan dhe arritën që të shkojnë në pushim ndërmjet dy pjesëlojëve me shifrat e barabarta, 2:2, me golat e shënuara nga Loela Ahmeti (38′) dhe Anisa Meha (45′). Lojë interesante u zhvillua edhe në pjesën e dytë, ku vajzat e të dyja ekipeve shfaqën dëshirë të madhe për fitore.
Megjithatë, fatin e ndeshjes e vendosi Aurora Mulliqi, me golin e tretë të shënuar në minutën e 80-të. Kësisoj, Llapi vazhdon të garojë edhe edicionin e ardhshëm në Superligë, derisa Vizioni mbetet në Ligën e Parë. E pjesë e Superligës është bërë edhe Presingu si kampion i Ligës së Parë, teksa statusin e skuadrës elitare e ka humbur Jakova.