Llapi me fitore shumë të rëndësishme

13 prill 2025 | 13:33

Në Podujevë është zhvilluar ndeshja më interesante e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Pas një drame të vërtetë, Llapi fitoi me rezultat 30:29 ndaj Vushtrrisë. Për Llapin mund të jetë fitore vendimtare për të siguruar vendin e gjashtë dhe mbetjen në Superligë pa u paraqitur në plejaut.

Vushtrriasit e nisën më mirë ndeshjen duke krijuar epërsi 7:3 në 10 minutat e parë. Deri në minutën e 25-të u zhvillua ndeshje e barabartë e më pas llapjanët u shkëputën në katër gola, 14:10.

Vushtrriasit nuk u ndalën dhe kaluan sërish në epërsi, 17:16, në minutën e 38-të. Më pas u luajt lojë e fortë dhe e barabartë, ndërsa Llapi në minutat e fundit u shkëput në dy gola.

Në fund rezultati ishte 30:29 për llapjanët.

Blerton Hasani i shënoi 13 gola për Llapin. Nga katër i kishin Fatlum Hasani e Rifat Visoka.

Te Vushtrria gjashtë gola i shënoi Egzon Ademi e pesë Bleon Gela. Nga katër i shënuan Arjanit Hyseni, Adnan Musa e Armend Karaça.

Dy xhiro para fundit, Llapi i ka 15 pikë në vendin e gjashtë. Vushtrria është e pesta me 16 pikë.

Po të shtunën, Rahoveci fitoi 46:29 ndaj Trepçës në Mitrovicë, ndërsa Kastrioti e mposhti Prishtinën me rezultat 45:27.

Rahoveci është lider me 51 pikë. Kastrioti është i dyti me 41 pikë, ndërsa Prishtina e katërta me 25 pikë. Trepça mbetet e shtata me 12 pikë dhe sipas të gjitha gjasave do të paraqitet në plejaut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportohet se sot Policia e Maqedonisë së Veriut, i ka…