Llapi mund të largohet nga garat
Trajneri Tahir Batatina ka thënë se largimi nga garat i klubit të futbollit Llapi, nuk është kërcënim, por është qëndrim serioz.
Ai ka thënë se për largimin nga garat, do të merret vendim të hënën gjatë ditës. Ai për emisionin sportiv të KTV-së, Sporti Total, ka thënë se Llapi është dëmtuar rëndë në ndeshjen kundër Dritës të cilën e humbi të dielën me rezultatin 2:1.
Ndeshja u zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
“E kemi ngritur edhe më herët zërin për dëmtimet, por ka hasur në vesh të shurdhër. Pa marrë parasysh pozicionin, kemi luajtur mirë. Kemi djem cilësor dhe ajo që më dhimbset si trajner dhe investitor që tetë vite te Llapi. Kemi ardhur në një situatë kritike për qytetarët, ‘Legjendat’ dhe vet atë qytet dhe vjen në një moment një klub i organizuar që jemi tash, të largohemi nga garat për arsye sepse nuk janë njerëz të ndërgjegjshëm për ta bërë një arbitrim ashtu si i ka hije. Nuk mund të dalë një arbitër që të dalë dhe të thotë se Batatina ka kërkuar favore. Është moment kritik, ku ne jemi dëmtuar rëndë. Gjithçka ishte në anën tonë, por arbitri e vendosi ndeshjen. Mbetet bashkë me vëllezërit të vendosim që mos t’i zhvillojmë garat dhe të presim deri në përfundim të kampionatit për të vazhduar garat në Ligën e Parë derisa të bëhen ndryshime rrënjësorë. Nuk është kërcënim, por ju garantoj shumë serioze”, ka thënë Batatina.