Llapi për këndellje ndaj Ballkanit
KF Llapi, pas humbjes në xhiron e parë nga Drenica, synon t’i marrë pikë sot në ndeshjen ndaj Ballkanit në Suharekë. “Ndeshja ndaj Ballkanit do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi duke u përgatitur për këtë përballje. Mendoj se do të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Fiton Hajdari, sulmues i Llapit.
Skuadra e Llapit po shpreson të këndellet në xhiron e dytë të IPKO Superligës në futboll dhe të marrë rezultat pozitiv nga ndeshja ndaj Ballkanit. Kjo ndeshje do të zhvillohet sot (e shtunë) në Suharekë nga ora 16:45, kurse krahas saj zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera: KEK-u – Gjilani dhe Drenica – Feronikeli. Fiton Hajdari, i rikthyer te skuadra e Llapit gjatë verës, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për përballjen me skuadrën e rikthyer në elitë, Ballkanin.
“Ndeshja ndaj Ballkanit do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi duke u përgatitur për këtë përballje dhe mendoj se do të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Hajdari.
Skuadra e Llapit që udhëhiqet nga strategu Bylbyl Sokoli, edhe përkundër ndryshimeve të shumta në afatin kalimtar të verës, nuk arriti të marrë pikë në ndeshjen e parë ndaj Drenicës, pasi pësoi humbje 0-1. Ndërsa Ballkani i rikthyer në elitë e mposhti në ndeshjen e parë Lirinë në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren (0-1). Kapiteni Visar Berisha ka thënë për gazetë se në skuadrën nga Suhareka të gjithë po i presin tri pikët e radhës që do të ishin të parat si vendës. Mbrojtësi në fjalë pret një numër të madh shikuesish në ndeshjen ndaj Llapit.
“Ne jemi ekip i ri në Superligë, por me ambicie të larta për pjesën e epërme të tabelës. Ndeshjes ndaj Llapit do t’i qasemi seriozisht dhe synim e kemi t’i marrim tri pikët e plota. Ekipi është i kompletuar dhe atmosfera është mjaft e mirë. Jemi duke punuar me intensitet të lartë që ta nisim mirë edhe ndeshjen e parë si vendës. Presim një numër të madh të ‘Xhebrailave’”, ka deklaruar Berisha.
Tri ndeshjet e tjera të javës së dytë zhvillohen të dielën, ndërsa spikat derbi në mes Trepçës ‘89 dhe Prishtinës. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta”, kurse para ndeshjes do të organizohet edhe ceremonia lamtumirëse e kapitenit Shpëtim Idrizi, i cili largohet nga futbolli i luajtur dhe më pas do ta vazhdojë karrierën në shtabin teknik të kësaj skuadre.
IPKO SUPERLIGA – JAVA E DYTË
Të shtunën takohen:
16:45 KEK-u-Gjilani
16:45 Drenica-Feronikeli
16:45 Ballkani-Llapi
Të dielën takohen:
16:45 Trepça ‘89-Prishtina
16:45 Ferizaj-Liria
16:45 Drita-Flamurtari
/Veton ZYMBERI/