Llapi pëson debakël nga Brondby në Danimarkë
Mesa duket edhe kjo aventurë e Llapit në Evropë mbaron këtu. Skuadra e Tahir Batatinës pësoi humbje të thellë në udhëtim te Brondby.
Vendasit ishin shumë larg nivelit të skuadrës kosovare, duke fituar me rezultat të thellë 6:0.
Llapi bëri gabime të njëpasnjëshme në këtë përballje, sidomos në mbrojtje ku tre gola i pësuan shkaku që “harruan” sulmuesit.
Fillimisht, Klaiber mori një top brenda zonës duke asistuar te Yuito Suzuki, i cili e kishte të lehtë të shënonte në portën e zbrazur për t’i dhënë epërsinë Brodbys (16’).
Vetëm katër minuta më vonë, Sebulonsen e gjeti të harruar Ohi Omoijuanfo, që e tundi rrjetën e Avdylit për ta dyfishuar epërsinë (20’).
Danezët s’u ndalën më kaq, me Filip Bundgaard që shënoi një gol të bukur me kokë pas një asistimi të Wass (24’).
Ndërkohë, për golin e katërt u përkujdes 18-vjeçari Noah Nartey që realizoi një eurogol duke e lënë portierin mysafir të shtangur (40’).
Llapi nuk është që krijoi ndonjë rast të rrezikshëm as në pjesën e dytë, por e kundërta pësoi edhe dy gola krejt në fund.
Ishte Mathias Kvistgaarden që shënoi një gol fantastik për 5:0 pas asistimit të Sebulonsen (89’).
Kurse, fitoren e thellë dhe demoluese e vulosi Oscar Schawatau në minutën e fundit të ndeshjes (90’).
Ndeshja kthyese do të zhvillohet një javë më vonë në “Zahir Pajaziti”.