Llapi pëson në Poloni nga Wisla Krakow
Nënkampioni i Kosovës në futboll, Llapi e ka nisur me humbje sezonin 2024/25.
Në ndeshjen e parë zyrtare dhe atë të garave evropiane, Llapi pësoi në udhëtim te Wisla Krakow.
Në duelin e luajtur të enjten mbrëma në Poloni, Llapi u mposht me rezultatin 2:0.
Kjo ishte ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës, ndërsa ajo e kthimit do të luhet javën e ardhshme në Podujevë.
Skuadra polake tregoi lojë të mirë dhe krijoi më shumë raste dhe qëlloi dy herë shtyllën, por nuk arriti të shënoi më shumë se dy gola dhe ky rezultat është i favorshëm për kalim në raundin tjetër të kësaj gare edhe pse Llapi do ta kërkoj rikthimin në shtëpi.
Mesfushori i ekipit vendas, Igor Sapala e zhbllokoi rezultatin me të filluar ndeshja pasi realizoi në minutën e dytë.
Golin e dytë, Wisla e shënoi në minutën e pestë të kohës shtesë me anë të Angel Rodado. Te Llapi u ankuan për këtë gol duke pretenduar në faull ndaj portierit Ilir Avdyli por kjo nuk u mor parasysh nga arbitri.
Për Llapin, ky është sezoni i tretë që paraqitet në garat e UEFA-s, ndërsa i pari në Ligën e Evropës.
Në dy paraqitjet paraprake në Evropë, Llapi u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Këtë sezon edhe nëse eliminohet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, Llapi rrugëtimin evropian e vazhdon në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.