Llapi prezanton dyshen Januzi – Haliti  

27 gusht 2020 | 12:29

Skuadra e Llapit ka prezantuar dy transferet e reja dhe të fundit për këtë afat kalimtar në futbollin e Kosovës, Ahmed Januzi dhe Ahmet Haliti.

Fotografia e K.F. Llapi

Januzi dhe Haliti kampionatin e fundit ishin pjesë e skuadrës së Prishtinës. “Me ardhjen e Ahmed Januzit dhe Ahmet Halitit, KF Llapi edhe zyrtarisht e ka përfunduar merkaton verore dhe tashmë ndihet e kompletuar dhe e sigurt para fillimit të edicionit të ri të Superligës”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Fotografia e K.F. Llapi

Njoftimi i plotë i KF Llapit:

KF Llapi mbyll merkaton verore me zyrtarizimin e super dyshes, Ahmed Januzi dhe Ahmet Haliti

Januzi e Haliti i bashkohen skuadrës duke nënshkruar kontratë 1 vjeçare!

Podujevë, 27 gusht 2020 – Me ardhjen e Ahmed Januzit dhe Ahmet Halitit, KF Llapi edhe zyrtarisht e ka përfunduar merkaton verore dhe tashmë ndihet e kompletuar dhe e sigurt para fillimit të edicionit të ri të Superligës. Dyshja, Januzi e Haliti në edicionin e fundit ishin pjesë e Prishtinës, me të cilën arritën të fitonin Kupën e Kosovës dhe nga sot edhe zyrtarisht do jenë pjesë e Llapit, ku që të dy nënshkruan kontratë 1 vjeçare me klubin.

Të dy futbollistët ishin të piketuar nga Shefi i shtabit teknik, Tahir Batatina, i cili në projektin madhor të Llapit, Januzin e Halitin i shihte të domosdoshëm për skuadrën. Por këtë mision e bënë të mundur, vëllezërit dhe donatorët kryesor të klubit. Presidenti, Beqir Batatina, zv. Presidenti, Amrush Batatina dhe Drejtori ekzekutiv, Bejtush Batatina, në koordinim me Shefin e shtabit teknik, arritën që ta sjellin në klub dy futbollistë të njohur për cilësitë dhe përvojën e madhe që kanë mbi supe.

Ahmed Januzi është i njohur për llapjanët. Sulmuesi i qendrës, Januzi ishte golashënuesi më i mirë i Llapit ku kishte arritur të realizonte 13 gola dhe 5 asistime gjatë edicionit 2018/19, Në edicionin e fundit Januzi ishte pjesë e Prishtinës, me të cilën arriti të fitonte Kupën e Kosovës, duke qenë kyç edhe në këtë skuadër, pasi ishte golashënuesi më i mirë i saj, me 15 gola e 6 herë asistues. Januzi ka përvojë të madhe në futbollin kosovar dhe atë ndërkombëtar pasi numëron mbi 169 paraqitje për Vorskla Poltava (28 gola) si dhe ka vishur edhe fanellën e Besës së Kavajës në Shqipëri, nga e cila skuadër kishte kaluar tek Vorskla Poltava në Ukrainë.

Ahmet Haliti është lojtar kampion. Përvoja e tij e madhe dhe stabiliteti që i jep mbrojtjes kur luan, e bëjnë atë ndër qendërmbrojtësit më të mirë në vend. Ai rikthehet në vendlindje, të jap kontributin e tij drejt ambicieve madhore që ka klubi këtë edicion!

Haliti është paraqitur me mjaft sukses në skuadrat elitare në Kosovë e Shqipëri. Ka qenë pjesë e KF Besianës, KF Hysit, KS Besa e Kavajës, FC Hajvalia, FK Bylis Ballsh, FC Feronikeli e së fundmi tek FC Prishtina, me të cilën fitoi Kupën e Kosovës në dy edicione 2017/18 dhe 2019/20.

KF Llapi mezi pret fillimin e kampionatit dhe është e gatshme për sfidat

 

(V.Z / Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Mehmet Hajrizi Gjenerata e normalistëve të diplomuar në Prishtinë…