Llapi prezanton Valmir Berishën
Valmir Berisha është përforcimi i dytë i Llapit pas prezantimit të Blend Baftiut. Sulmuesi kosovar i lindur dhe rritur në Suedi, i bashkohet Llapit pas aventurës gjashtë mujore te Liria sezonin e fundit. 28-vjeçari ka bërë karrierë në të kaluarën edhe si Roma dhe Halmstad, derisa shihet si një përforcim me vlera për Llapin.
“Llapi komunikon transferimin e sulmuesit të qendrës, Valmir Berisha nga FC Liria me kontratë për dy-vitet e ardhshme. 28-vjeçari vjen në klubin tonë me një bagazh të madh e eksperiencë ndërkombëtare dhe do rrit edhe më shumë konkurrencën në repartin ofensivë. Fillimi i karrierës së tij në Halmstad dhe pjesëmarrja në klube prestigjioze si Roma, e pjesëmarrja e tij në kombëtaret zinxhirë të Suedisë janë vetëm disa nga momentet që e bëjnë të dallohet në skenën ndërkombëtare të futbollit. Besojmë se përvoja e Valmir Berishës do të shtoj forcat e skuadrës sonë dhe do të kontribuoj në arritjen e objektivave tona në garat evropiane dhe sezonin e ri të Superligës”, thuhet në njoftimin e Llapit.
Valmir Berisha ka deklaruar se është kënaqësi të bashkohesh me një skuadër kaq të respektuar dhe të ndjekur në futbollin e Kosovës. “Dua të falënderoj stafin drejtues, drejtorin dhe trajnerin për besimin e tyre. Jam i përkushtuar plotësisht që të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe të kontribuoj për suksesin e KF Llapi. Tifozëve u premtoj angazhim maksimal për t’i gëzuar ata me shumë suksese në vazhdim”, ka deklaruar Berisha.