Lluka: 57 për qind e ujit të pijshëm humb gjatë shpërndarjes
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, i shoqëruar nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, kanë vizituar Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” (KUR) ku janë pritur nga Kryeshefi ekzekutiv, Ilir Abdulla
Më pas ata kanë vizituar fabrikën e ujit në fshatin Shkabaj. Lluka pas takimit, deklaroi se janë të përkushtuar që të investojnë në humbjen sa më të vogël të ujit që sipas tij, janë 57 për qind e ujit që humbet gjatë procesit të shpërndarjes.
Sipas tij, kjo humbje kryesisht bëhet për shkak të kyçësve ilegal si dhe të matësve që mund të mos e matin mirë. “Diskutuam problemet e inkasimit, e që është i kënaqshëm deri diku për shkak se përfshihen edhe rasteve sociale që nuk paguajnë, por që deri më tani nuk ka ndonjë plan deri më tani për mbulimin e këtyre shpenzimeve. Poashtu është edhe humbjet që janë 57 për qind diku dhe jemi duke shikuar metodat pra një plan se si zvogëlojmë këto humbje”, ka thënë Lluka.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës Selim Pacolli, deklaroi se së bashkë me qeverinë janë duke punuar që të gjithë qytetarët të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë.
Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KRU ”Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka deklaruar se janë të kënaqur me furnizimin deri më tani, por se shpreson që edhe më tutje të punohet në mënyrë që të zvogëlohen humbja e ujit. “Ajo çfarë ne na intereson është që konsumatorët t’i shlyejnë obligimet që i kanë ndaj ujësjellësit dhe të ketë furnizim të mjaftueshëm. Pra hap i yni është që të gjitha kyçjet ilegale të hiqen dhe të mos ketë kyçje ilegale pasi ato na dëmtojnë”, deklaroi Abdullahu.