Lluka dhe Balaj thonë se ristrukturimi i Telekomit është i domosdoshëm
Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lahmi Balaj, është takuar të hënën me ministrin e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, me të cilin ka diskutuar për gjëndjen në këtë ndërmarrje.
Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë për medie, me ç’rast kreu i MZhE-së, Valdrin Lluka, ka thënë se është biseduar për ristrukturimin e kësaj ndërmarrje, që sipas tij është një proces i domosdoshëm.
Ministri Lluka ka theksuar se kërkesat e sindikatës do të merren parasysh, duke potencuar se është pro dialogut social në mënyrë që mos të anashkalohen kërkesat e punëtorëve. “Sot kishim një takim të përbashkët me sindikatën e Telekomit ku diskutuam për brengat që kemi dhe planin për vitin 2019, si dhe fazat e ristrukturimit të kësaj ndërmarrje. Kjo fazë do të marrë mbështetjen e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim, në mënyrë që punëtorët të ndihen komod për procedurat që do të ndiqen. Ideja është që sindikata të jetë e përfaqësuar në vendimmarrje”, është shprehur Lluka.
Edhe Lahmi Balaj nga Sindikata e Telekomit, ka konfirmuar se janë pajtuar që të bëhet ristrukturimi i Telekomit, duke e vlerësuar këtë si hap të domosdoshëm.
Ai ka treguar se ka dërguar disa lëndë te krimet ekonomike, pasi sipas tij shumë kompani e kanë zhvatur Telekomin.
I pyetur se si e ka pritur lajmin për mundësinë e privatizimit të Telekomit, Balaj ka theksuar se njëherë duhet të bëhet ristrukturimi në këtë ndërmarrje dhe më pas të flitet për privatizimin. “Së pari duhet të flitet për ristrukturimin kurse më pas mund të flitet për investime dhe për privatizimin. Ne si sindikatë e kemi përkrahur ristrukturimin sepse Telekomi ka nevojë për një gjë të tillë. Ky ristrukturim do të përfshijë edhe sindikatën, dhe sigurisht se ne do të jemi të zëshëm aty. Shqetësimet tona për Telekonin nuk kanë ndryshuar, ato janë të njëjtat që kemi deklaruar më herët. Telekomi nuk është menaxhuar mirë. Nëse do të ndodhte një menaxhim i mirë nuk do të kërkonim ristrukturimin. Telekomi është zhvatur nga kompani të ndryshme. Sot me miliona euro janë shpërla nga këto kompani. Privatizimi i Telekomit nuk ka për të ndodhur njëherë, pra po e përsërisë se njëherë do të ndodhë ristrukturimi. Unë personalisht jam kundër privatizimit”, ka thënë Balaj.
A.MAVRAJ/ Epoka e re/