Lluka: Ja kush do ta furnizojë termocentralin “Kosova e Re” me linjit?

11 shkurt 2018 | 19:53

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka shpalosur detaje nga marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës  dhe “Contour Global”,  investitorit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Lluka shpjegoi se Marrëveshja për Furnizim me Linjit (MFL) rregullon marrëdhëniet ndërmjet “Contour Global” dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Sh.a. Sipas tij, lënda e marrëveshjes është furnizimi dhe shitja e linjitit për nevojat e gjenerimit të energjisë elektrike në termocentralin “Kosova e Re” dhe se çmimi i linjitit që KEK-u,  do t’ia shes “ContourGlobal”,  përcaktohet sipas Metodologjisë për caktimin e këtij çmimi dhe sasisë së linjitit

 

Postimi i plotë i Llukës në profilin e vet në “Facebook”:

Të nderuar qytetarë,

Me këtë shkrim të dytë po vazhdojmë të shpalosim temat më kyçe të dala nga marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Kosovës, ndërmarrjeve publike në Kosovë (KEK, KOSTT, Ibër-Lepenci) dhe ContourGlobal – investitorit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Sot do të trajtoj rëndësinë dhe specifikat e Marrëveshjes për Furnizim me Linjit (ang. Lignite Supply Agreement), të cilën mund ta shkarkoni këtu. http://mzhe-ks.net/repository/docs/6._Lignite_Supply_Agreement_(Execution_Version).pdf

Së pari duhet të them se Marrëveshja për Furnizim me Linjit (MFL) rregullon marrëdhëniet mes ContourGlobal dhe Korporata Energjetike të Kosovës (KEK) Sh.a., ku lënda e marrëveshjes është furnizimi dhe shitja e linjitit për nevojat e gjenerimit të energjisë elektrike në termocentralin Kosova e Re.

Çmimi i linjitit që KEK do t’ia shes ContourGlobal përcaktohet sipas Metodologjisë për caktimin e këtij çmimi dhe sasisë së linjitit (Shtojca 1 e MFL-së). Ky mekanizëm lejon llogaritjen e çmimit të linjitit sipas kostove reale që KEK Miniera mund të ketë gjatë zhvillimit dhe operimit të mihjes të periudhave të ndryshme të furnizimit, përfshirë këtu investimet kapitale, koston e eksproprijimit dhe zhvendosjes, koston e rehabilitimit pas ngjarjeve të fuqisë madhore, si dhe mekanizma tjerë që kanë të bëjnë me përshtatjen e pagesave sipas sasisë dhe cilësisë të linjitit të furnizuar.

Marrëveshja, gjithashtu rregullon procedurat operative, politikën e sigurimeve, cilësinë e kontraktuar të linjitit, procedurat për përcaktimin e peshës dhe cilësisë së linjitit të furnizuar, operimin dhe mirëmbajtjen e deponisë (pranë TC Kosova B), rezervat e gatshme obligative të linjitit në deponi (së paku 15 ditë) dhe në mihje (së paku 3 muaj), si dhe pikën e livrimit (pranë TC Kosova e Re).

Marrëveshja ka për qëllim krijimin e marrëdhënieve të shëndosha komerciale mes palëve përmes transparencës. Marrëveshje të tilla do të nënshkruhen edhe me gjeneratorë të tjerë siç është TC Kosova B.

KEK-u, apo pasardhësi i Divizionit për Furnizim me Qymyr që mund të dalë nga procesi i shthurjes së mëtutjeshme të KEK-ut (KEK Miniera – ndërmarrje publike), do të ketë të drejtën ekskluzive për të shfrytëzuar një zonë të caktuar të fushës së linjitit (qoftë në fushën e Sibovcit apo në fushën Jugore, e që do të përcaktohet me Planin e Zhvillimit të Mihjes), me rezerva të mjaftueshme për të siguruar linjit për përmbushjen e zotimeve sipas kësaj MFL-je, apo edhe me MFL të ngjashme me gjeneratorë të tjerë.

KEK Miniera do të jetë e obliguar që të furnizojë të gjithë gjeneratorët në mënyrë të barabartë dhe çmimi i linjitit do të përcaktohen në mënyrë jodiskriminuese për të gjithë blerësit e linjitit.

KEK Miniera do të marrë përgjegjësinë për të gjitha elementet e mihjes së linjitit lidhur me Termocentralin Kosova e Re, përfshirë zhvillimin e minierës, investimin kapital, përmbushjen e të gjitha obligimeve mjedisore, sociale, të shëndetit dhe sigurisë, sigurimin e licencave dhe lejeve përkatëse, dhe përgjithësisht kryerja e të gjitha veprimeve dhe obligimeve lidhur me operimin e mihjes sipas kushteve të aplikueshme dhe ligjeve në vend. KEK Miniera do të marrë përgjegjësinë për të gjitha obligimet mjedisore lidhur me fushën e mbuluar nga Licenca për Shfrytëzim.

Kjo marrëveshje ka rëndësi të madhe për të siguruar vazhdimin e operimeve në minierat e KEK-ut, që përveç shumë benefiteve të tjera, siguron edhe vazhdimësinë e punësimit të sigurt të mijëra vendeve të punës në Miniera, të cilat mund të ishin rrezikuar po që se do të shkohej nga zvogëlimi i operimeve minerare. Po ashtu, me këtë arrihet edhe besimi i investitorit të TC Kosova e Re se KEK Miniera do të jetë furnizues i qëndrueshëm afatgjatë i lëndës së parë për Termocentralin Kosova e Re (bashkë me termocentralet e tjera). Me një fjalë, me këtë marrëveshje është arritur që të ruhen shumë vende të punës, e po ashtu të sigurohet profit nga shitja e linjitit për Termocentralin Kosova e Re, por edhe më gjerë.

KEK Miniera është përgjegjëse për:

Përditësimin e Planit të Zhvillimit të Minierës duke marrë parasysh zhvillimet e nevojshme të minierës që kërkohet për furnizimin e Termocentralit Kosova e Re, bashkë me furnizimin e termocentraleve të tjera dhe konsumatorëve të linjitit në Kosovë;

Zhvillimin e Planit të Financimit të Minierës (i cili mes tjerash do të adresojë financimin e kostove të nevojshme kapitale të kërkuara për zbatimin e Planit të përditësuar të Zhvillimit të Minierës);

Raporti i Caktimit të çmimit të linjitit, i cili do të rekomandojë çmimin e linjitit, i cili mundëson operimin e qëndrueshëm të minierës;

Vazhdimin e licencës ekzistuese të mihjes nga divizioni i mihjes i KEK-ut dhe modifikimet e një licence të tillë për të pasqyruar Planin e përditësuar të Zhvillimit të Minierës dhe arritjen e të gjitha lejeve, licencave dhe aprovimeve të nevojshme; dhe

Planifikimi dhe zbatimi i të gjitha masave të nevojshme për të përmbushur obligimet mjedisore, sociale,shëndetësore dhe të sigurisë të divizionit të mihjes të KEK-ut përfshirë VNM/VNMS dhe EMP-të lidhur me elementet e mihjes, dhe obligimet e zhvendosjes dhe ri-sistemit.

Plani i Zhvillimit të Minierës do të finalizohet gjatë vitit 2018.

Përfundim:

Ndërmarrja publike (shtetërore) qoftë KEK Sh.a. apo pasardhësi (KEK Miniera) do të ketë obligimin e furnizimit me linjit të gjithë gjeneratorëve ekzistues dhe të ri, bazuar në licencë të shfrytëzimin sipas kushteve dhe obligimeve ligjore në Kosovë;

Marrëveshja për Furnizim me Linjit paraqet një bashkëpunim të ri mes palëve bazuar në raportet e shëndosha komerciale;

Çmimi i linjitit do të caktohet me mekanizëm që garanton transparencë dhe i cili reflekton kostot reale për zhvillimin dhe operimin e mihjes;

Të gjithë gjeneratorët ekzistues dhe TC Kosova e Re do të kenë trajnim të barabartë dhe jo-diskriminues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, do të vizitojë Kosovën në…