Lluka: Kam kërkuar auditim edhe për katër ndërmarrje të tjera
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, e ka shtyrë për një ditë tjetër shqyrtimin e raportit të performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2017.
Kjo shtyrje erdhi pasi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk është e arsyeshme të diskutohet për raporte të vitit 2017, kur tani jemi në vitin 2019.
“Më duket komplet e paarsyeshme ta diskutojmë raportin e vitit 2017 kur jemi në vitin 2019. Nuk ka kurrfarë kuptimi për të diskutuar për vitin 2017 pa pasur informata se çfarë ka ndodhur në vitin 2018. Ne e dimë se vetëm muajt e fundit në Telekom numri i punëtorëve është rritur për 100”, ka thënë Bajrami. Ajo ka kërkuar po ashtu sqarime dhe për kredinë që do të merret për ristrukturimin e Telekomit të Kosovës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në përgjigjen e tij ka thënë kredia prej 25 milionë euro për Telekomin nga Banka Botërore merret me garanci nga Qeveria, mirëpo paguhet nga Telekomi.
Ndërkaq, deputeti tjetër i LDK-së, Lutfi Zharku, ka kërkuar nga ministri i Zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka që deri më 15 shkurt të sillën raportet e vitit 2018.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë me dije se dhjetë ndërmarrje nga 16 në tërësi operojnë me fitim dhe janë të qëndrueshme ndërkaq gjashtë prej tyre nuk janë në gjendje të mirë.
“Katër ndërmarrje në vitin 2018 janë audituar më shumë me kërkesën time. Në vitin 2017 edhe pse ka pasur një punësim të vogël, ndërmarrjet kanë operuar më mirë. Në vitin 2017 kanë qenë dhjetë ndërmarrje që kanë operuar mirë krahasuar me vitin 2016. Janë pesë kompani që kanë operuar me humbje. Subvencionet janë zvogëluar për 5 milionë euro, ndërkaq investimet kapitale kanë rënë”, ka thënë Lluka, duke shtuar se ka kërkuar auditim edhe për katër ndërmarrje të tjera.
Sipas tij, Posta dhe Telekomi vazhdojnë të jetë sfidë kryesore. “Telekomi vazhdon të jetë sfidë kryesore. Ne jemi në proces të përgatitjes së terrenit për privatizim të Telekomit, ku synimi ynë është që të ristrukturohet. Po ashtu edhe Posta vazhdon të jetë me të njëjtat probleme. Posta vazhdon të mbetet e varur nga qiraja pasi për të paguan Telekomi. Dhjetë prej ndërmarrjeve janë të qëndrueshme, kurse gjashtë ndërmarrje janë mjaft keq”, u shpreh ministri Lluka, duke shtuar se edhe ndërmarrja “Trepça”, subvencionohet me 3-4 milionë euro.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se të gjitha problemet e ndërmarrjeve publike vijnë nga keqmenaxhimi dhe mbushja me militantë partiakë. Ai e ka quajtur të pakuptimtë marrjen e kredisë për Telekom, pasi sipas tij kjo e fundit po planifikon të privatizohet.
“Mendoj se problemi më i madh sa i përket ndërmarrjeve publike është ideologjia e Qeverisë. Ideologjia e saj është që ndërmarrjet publike nuk funksionojnë dhe të gjitha problemet na rrjedhin prej këtyre koncepteve të Qeverisë. Shkatërrimi i PTK-së vjen nga keqmenaxhimi dhe mbushja me militantë partiakë. Ajo që duhet të bëjë Qeveria është ta heq keqplanifikimin dhe ndikimin politik. Është e dhimbshme se si Telekomi është zhvlerësuar. Raporti për ndërmarrje publike duhet të jetë më shumë se kontabilitet. Sa i përket kredisë qysh është e mundshme të merret kredi nëse Qeveria po mendon për ta privatizuar. 25 milionë euro kredi për një ndërmarrje dhe kur ti je i bindur se ka për të falimentuar, kjo bëhet veç për t’ia zgjatur pagat militantëve”, ka thënë Konjufca.
A.MAVRAJ