Lluka: Kosova dhe Greqia do të rrisin bashkëpunimin ekonomik
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm për çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për zhvillim në Ministrinë e Punës së Jashtme të Greqisë, Ioannis Brachos, i shoqëruar me një delegacion të shtetit grek.
Në takim u diskutuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve, rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjes së shkëmbimit tregtarë dhe shkëmbimit të përvojave të mira në fushën e zhvillimit ekonomik.
Ministri Lluka, me këtë rast ka njoftuar delegacioni grek me zhvillimet ekonomike në vendin tonë, projektet kapitale dhe synimet e Kosovës për krijimin e klimës për tërheqjen e investitorëve të huaj, e sidomos në fushën e IT-së, energjisë dhe metalurgjisë.
Po ashtu i pari i MZHE-së, foli për rëndësinë e Agjendës së Konektivitetit në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt krijimit të një zone të përbashkët ekonomike.
Ministri Lluka ka njoftuar delegacionin e shtetit grek për projektin e parkut inovativ në Prizren.
“Kosova synon të bëhet qendër rajonale për zhvillim të sektorit të teknologjisë informative”, ka thënë ministri Lluka, duke premtuar se bizneset kosovare do të jenë prezentë në Forumin Ekonomik që do të mbahet në Athinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Në anën tjetër, sekretari grek për çështje ekonomike Brachos, duke falënderuar ministrin Lluka për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, ka theksuar se Greqia është e gatshme të ngritë në një nivel më të lartë bashkëpunimin ndërshtetëror për të gjitha çështjet të cilat do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.
“Ne jemi këtu për të parë mundësit e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve. Ne duam që bashkëpunimi i deritashëm të shkoj në një nivel tjetër që do të rriste shkëmbimin tregtarë të dy vendeve, do të shkëmbinim përvojat e mira ekonomik dhe të rrisim investimet e dyanshme”, është shprehur sekretari i përgjithshëm për çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për zhvillim në Ministrinë e Punës së Jashtme të Greqisë, Ioannis Brachos.
/Epoka e re/