Lluka: “Kosova e Re” do të ndërtohet
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është projekti më strategjik për vendin dhe zhvillimin ekonomik të tij.
Lluka, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se së bashku me investitorin ‘ContourGlobal’ do të punohet që ky projekt të përfundojë në afat të paraparë.
Sot, më herët, Banka Botërore njoftoi se nuk do ta mbështesë financiarisht projektin ‘Kosova e Re’
Postimi i plotë i Llukës:
Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re, siç është komunikuar deri më tani, është projekti më strategjik për vendin dhe zhvillimin ekonomik të saj që nga pas lufta, andaj, ju siguroj që së bashku me investitorin ContourGlobal, do të punojmë që ky projekt të përfundoj në afat të paraparë.
Ne nuk do të bëjmë kompromise në dëm të sigurisë shtetërore të furnizimit me energji elektrike. Si ministër i këtij vendi, përgjegjës për energji, nuk do ta lejoj që Kosova të varet nga importet e energjisë, duke zhvilluar aktivitet ekonomik dhe punësime për vende tjera, përderisa ne kemi potenciale të jashtëzakonshme të gjenerojmë energji jo vetëm për nevoja tona, por edhe për eksport. Ne duhet të sigurojmë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër, ashtu siç nuk kemi alternativa tjera për gjenerim të energjisë elektrike.
ContourGlobal është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare.