Lluka: Kosova ka marrë hapa konkret drejt transformimit digjital rajonal
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po qëndron në Bruksel, ku po merr pjesë në dialogun mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian rreth Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK), takim ky i ftuar nga komisionerja për Teknologji dhe Ekonomi Digjitale, Mariya Gabriel.
Ai ka përshëndetur lansimin e Agjendës Digjitale për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova është e përkushtuar që të avancojë bashkëpunimin regjional me synim të krijimit të një ekonomie digjitale rajonale.
“Kosova ka mirëpritur lansimin e Agjendës Digjitale për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Komisioni Evropian të mbajtur në Sofje të Bullgarisë në kuadër të Asamblesë Digjitale vitin e kaluar. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku me vendet e Ballkanit perëndimor dhe vendet e BE-së në mënyrë që të bëjmë tranzicionin e regjionit në ekonomi digjitale, dhe të përfitojmë nga ky transformim digjital, në mënyrë që të kemi rritje më të shpejtë ekonomike, më shume vende pune, dhe shërbime më të mira për qytetarët tonë”, është shprehur ministri Lluka.
Kreu i MZhE-së, gjithashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës konsideron sektorin e TIK si njëra nga sektorët më të rëndësishëm sa i përket zhvillimit ekonomik dhe të transformimit struktural në një shoqëri dhe ekonomi të bazuar në dije.
Ai ka thënë se Kosova është duke punuar me seriozitet në përshpejtimin e hapave drejt këtij transformimi përmes zhvillimit infrastrukturor të qasjes dhe përdorimit të TIK-ut, forcimi i kapitalit njerëzor në mënyrë që të maksimizohen përfitimet që vijnë nga teknologjia dhe krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për zhvillimin e industrisë së teknologjisë ku përmes eksportit të TIK krijohet një mundësi e madhe e rritjes së numrit të punësuarve sidomos tek të rinjtë dhe gratë.
Po ashtu, ministri Lluka ka treguar se Qeveria e Kosovës ka përshtatur legjislacionin e saj me atë të BE-së në adaptimin e rregullimit të mbledhjes së të dhënave për infrastrukturën e komunikimit elektronik.
Ai ka treguar se është kompletuar përshtatja e direktivës së BE-së për uljen e kostove të komunikimit elektronik, që do të fillojë në gusht të vitit 2019.
Gjithashtu Lluka ka theksuar se Kosova ka lansuar procesin e përshtatjes së Direktivës së Sigurisë së Rrjetës dhe Informacionit si dhe ka zhvilluar ligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimeve të sigurisë në transaksionet elektronike.
ë fjalimin e saj, komisionerja për Teknologji dhe Ekonomi Digjitale, Mariya Gabriel, ka thënë se nga aprovimi i agjendës digjitale vitin e kaluar në Sofje kanë arritur të aprovojnë marrëveshjen e parë të roamingut dhe ka kërkuar nga ministrat e rajonit që të rritet bashkëpunimi për krijimin e tregut digjital.
/Epoka e re/