Lluka: Krijimi i një platforme agrare do të ndikonte në rritje të eksportit
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka marrë pjesë të mërkurën në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Agrobiznesit, Ushqimit dhe Pijeve, Agrokos, i cili po mbahet në Prishtinë.
Ky është edicioni i 18-të, në të cilin po marrin pjesë prodhues vendor, e po ashtu edhe prodhues nga regjioni dhe më gjerë.
Panairi është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme tregtare dhe tradicionale, i cili njëkohësisht po shërben si urëlidhëse në mes bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare.
Ministri Lluka ka thënë se me vetë faktin se në këtë panair po marrin pjesë një numër i madh i bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare tregon për rëndësinë që ka kjo ngjarje, si dhe në të njëjtën kohë dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur prodhuesit vendor në fushëveprimtarinë e tyre duke ua lehtësuar kushtet e të bërit biznes.
“Ne kemi kaluar nëpër sfida të shumta, duke kaluar nga një sistem tërësisht i shkatërruar, mandej kemi kaluar në një fazë ku është subvencionuar prodhimtaria primare me pikat grumbulluese, ndërsa tani kemi kaluar në një fazë ku përmes donatorëve të ndryshëm po tentohet të ndihmohen përpunuesit e produkteve finale. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme nëse duam të jemi konkurrues me vendet e BE-së”, ka thënë Lluka.
Ai ka shtuar se roli i MZhE-së është që përmes projektit me Bankën Botërore është që t’i ndihmojmë fermerët që të marrin shkathtësitë bazë në fushën e teknologjisë së informacionit, gjë që do të ndihmonte edhe në implementimin e praktikave më të mira në këtë sektor.
Gjithashtu, ministri Lluka ka potencuar edhe nevojën e krijimit të një platformë agrare e cila do të bëjë lidhshmërinë nga fermeri deri tek prodhuesi, nga prodhuesit tek shitësi, prodhimin e produkteve për treg ndërkombëtar, në mënyrë që ta zhvillojmë eksportin dhe para së gjithash konsumin vendor.
/Epoka e re/