Lluka ndan mirënjohje për minatorët e “Trepçës”
Në shënimin e 30 vjetorit të grevës së Minatorëve të “Trepçës”, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ndau mirënjohje për minatorët të cilët ishin pjesë e kësaj greve dhe po këtë vit dalin në pension.
Këto mirënjohje u ndanë për kontributin e tyre të dhënë në minierën e “Trepçës”, dhe për sakrificën e tyre gjatë grevës së 28 shkurtit në vitin 1989.
Ministri Lluka në fjalimin e tij falënderoi minatorët për punën dhe sakrificën e tyre dhe i njoftoi se benefitet të cilat u takojnë atyre shumë shpejtë do të zbatohen.
“Kjo është një ceremoni falënderuese për punën e juaj, për jetën të cilën e keni kaluar në minierën e “Trepçës” dhe posaçërisht për sakrificën në grevën e minatorëve. Ju uroj për miratimin e statutit të “Trepçës”, e cila juve ju bënë hisedarë në këtë minierë. Ne jemi duke punuar që benefitet të cilat ju takojnë të hyjnë në zbatim sa me shpejtë dhe shpresojmë që brenda 3 muajve të përfundon procedura”, u shpreh ministri Lluka.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku u shpreh i kënaqur me kujdesin e treguar ndaj tyre nga Ministri Lluka.
“Falënderojmë ministrin Lluka i cili ka punuar shumë për “Trepçën”, dhe minatorët dhe është ministër i cili gjithmonë u ka qëndruar afër minatorëve dhe për këtë gëzon një respekt të veçante tek ne. Ne shpresojmë që shumë shpejtë do të zgjidhet çështja e beneficioneve e cila do të ju garantonte një pensionim më të mirë”, ka deklaruar Sadiku.
Ndërsa, minatori më i vjetër i minierës “Trepça”, Ferit Neziri ka thënë se Lluka është ministri i parë i cili i mblodhi minatorët në një ceremoni të tillë.
“Unë si minatori më i vjetër i “Trepçës”, dua ta falënderoj përzemërsisht ministrin Lluka i cili është i vetmi prej ministrave që i ka mbledhë minatorët e “Trepçës”, në një ceremoni të tillë”, u shpreh ai.
Po ashtu, në shënimin e 30 vjetorit të grevës ishte i pranishëm edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili tha se “Trepça”, dhe minatorët janë simbolike e qytetit të Mitrovicës, duke i falënderuar minatorët për mundin dhe punën të cilën e kanë bërë për minierën e “Trepçës”, thuhet në njoftimin e MZhE-së.
Nga ana tjetër, minatorët ndanë një dhuratë për ministrit Lluka si shenjë falënderimi për angazhimin dhe punën që ai ka bërë për ta.