Lluka: Ndërmarrjet publike janë të mbipopulluara me punëtorë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë me dije se ndërmarrjet publike janë të mbipopulluara me punëtorë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në ndërmarrjet publike ka keqmenaxhim.
Ministri Lluka ka treguar se pasi ka ardhur në krye të kësaj ministrie ka ndalur marrjen e bonuseve dhe të shpenzimeve të paarsyeshme në ndërmarrjet publike. “Që nga dita e parë si shtet në ndërmarrjet publike ka pasur keqmenaxhim, andaj jemi në një situatë kur 11 nga 16 ndërmarrje shtetërore operojnë me humbje dhe duhet të subvencionohen nga buxheti i shtetit”, është shprehur Lluka.
Ai në këtë intervistë ka përmendur humbjet në Telekomin e Kosovës që, sipas tij, janë të paarsyeshme. Por, ministri ka bërë me dije se për këtë ndërmarrje janë parashikuar masa, zbatimi i të cilave do të fillojë pasi bordi i ri të jetë funksional në muajin prill. “Shpresoj se Bordi i Telekomit do të zgjedhet në muajin prill dhe pres nga ai bord profesionalizëm dhe rregullim të shpenzimeve operative”, ka thënë ai.
Duke folur për mungesën e Bordit të “Trepçës”, ministri Lluka ka thënë se pret që të krijohet edhe ky bord paralelisht me atë të Telekomit kah mesi i muajit prill. Ai ka treguar se Ligji për Efiçiencë të Energjisë është draftuar nga ekspertë të Komisionit Evropian dhe çdo gjë është bërë në përputhje me kërkesat e BE-së. Ky ligji, sipas ministrit Lluka, do të shkojë në Qeveri brenda dhjetë ditëve.
Ministri Lluka ka mohuar lajmet në medie se Lista Serbe t’i ketë vënë kushte në këmbim të votës së deputetëve serbë pro demarkacionit më tepër hise në Bordin e ndërmarrjes “Trepça”. “Kur është fjala për demarkacionin me Malin e Zi është e rëndësishme të kemi aprovim sa më të gjerë të kësaj marrëveshje, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Sa më shumë që ne ia kërkojmë votën Listës Serbe i japim hapësirë të kërkojë më shumë në projekte të tjera. Unë nuk do të thosha se është e përfshirë ‘Trepça’ në marrëveshje me demarkacionin”, ka thënë Lluka.
“Epoka e re”: Z. Lluka, çfarë e ka karakterizuar punën tuaj prej se keni ardhur në detyrën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik?
Lluka: Secili dikaster i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kishte sfida në vete. Ne mbulojmë fushën e energjetikës, minierave, teknologjisë, si dhe rë ndërmarrjeve publike. Të gjitha këto kanë probleme, por me të fokusuara problemet janë në energjetikë dhe te ndërmarrjet publike. Që nga dita e parë si shtet në ndërmarrjet publike ka pasur keqmenaxhim, andaj jemi në një situatë kur 11 nga 16 ndërmarrje shtetërore operojnë me humbje dhe duhet të subvencionohen nga buxheti i shtetit. Nëse nuk e bëjmë një ristrukturim të tyre atëherë kjo do të shkaktonte problem jashtëzakonisht të madh për buxhetin e Kosovës. Si progres do ta veçoja marrëveshjen për Termocentralin “Kosova e re”, e cila është rinegociuar. Në këtë marrëveshje janë përmirësuar disa kushte, kështu që suksesi i atribuohet kësaj qeverie. Po ashtu, kemi rregulluar situatën me gjenerimin e energjisë. Në Shipitullë ka pasur keqpërdorime të vazhdueshme me bllokadë totale dhe ishim para kolapsit. Kemi arritur ta zhbllokojmë një situatë të tillë në të cilën humbjet nga importi i energjisë gjatë sezonit së dimrit kanë qenë enorme. Kosova ka importuar gjatë dimrit diku 1 milion euro në ditë energji, sikurse të vazhdonte kjo situatë do të kushtonte dhjetëra milionë euro. Me zgjidhjen e kësaj situate dhe falë kushteve klimatike pothuajse e kemi kaluar me gjenerim të brendshëm pa pasur nevojë për importe të mëdha. Po ashtu, kemi disa projekte në kuadër të efiçiencës së energjisë që janë duke u finalizuar. Kurse, Ligjin për efiçiencë do ta sjellim në Qeveri brenda dhjetë ditëve.
“Epoka e re”: Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka apeluar që ky ligj të miratohet sa më parë konform direktivave të BE-së. A u përafrohet ky ligj direktivave të BE-së?
Lluka: Ligji për Efiçiencë të Energjisë është draftuar nga ekspertë të Komisionit Evropian dhe çdo gjë është bërë në përputhje me kërkesat e BE-së. Ky ligj i plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat. Është me rëndësi që ky ligj të kalojë në Kuvend sa më shpejt. Qëllimi im është që deri në muajin maj ta përfundojmë këtë ligji i cili parasheh edhe krijimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë. Një fond i cili do t’u mundësonte institucioneve të marrin kredi për t’i financuar ndryshimet në efiçiencë.
“Epoka e re”: Po flisni për Fondin për Garantimin e Kredive apo keni ndonjë fond tjetër?
Lluka: Do të merret i njëjti model, por garantimi i kredive si model operues do të jetë fond i veçantë.
“Epoka e re”: Ministër, ndërmarrjet publike vazhdimisht rezultojnë me performancë negative. Si do ta ndaloni këtë?
Lluka: Në momentin që kam ardhur në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kam parë shpenzimet e bordeve pa kritere. Kemi dërguar një vendim te të gjitha bordet dhe kemi ndaluar dhënien e bonuesve dhe shpenzimeve të paarsyeshme. Ky nuk është i vetmi problem, pasi problem tjetër te ndërmarrjet publike është edhe menaxhimi i tërësishëm. Të gjitha ndërmarrjet publike janë të mbipopulluara me punëtorë. Merreni me mend, Telekomi ka 2 300 punëtorë me një rrogë mesatare 1 000 euro, kurse IPKO-ja me 600 punëtorë dhe me rrogë mesatare 650 euro. Është pothuajse i njëjti qarkullim. Pra, kemi performancë të dobët të menaxhimit. Pra, duhet të kemi borde profesionale. Shpresoj se Bordi i Telekomit do të zgjedhet në muajin prill dhe pres nga ai bord profesionalizëm dhe rregullim të shpenzimeve operative.
“Epoka e re”: Ju po fajësoni menaxhmentin e Telekomit?
Lluka: Nuk e fajësoj tërësisht menaxhmentin, sepse në mungesë të bordit as menaxhmenti nuk ka pasur hapësirë për ndryshime. Më 25 mars do të mbahen intervistat për anëtarët e bordit dhe në fillim të muajit prill do ta kemi një bord aktiv, kurse më pas do të fillojë rekrutimi i kryeshefit ekzekutiv. Pastaj të bëhen reformat e duhura.
“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Britanisë kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi i cili synon ta fuqizojë dhe sigurojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për postet e larta e në borde, por që në disa raste nuk u respektua.
Lluka: Besoj se qëllimi i memorandumit është të zgjedhën njerëz sa më profesionalë. Këtë memorandum e përkrahi. Rekomandimet tona, të Qeverisë, për Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kanë shkuar në bazë të rekomandimeve që kishim nga kompania angleze. Ideja është të mos lejojmë njerëz të pakualifikuar, sepse pasojat po shihen shumë më vonë. Prandaj ky memorandum duhet të respektohet.
“Epoka e re”: Mosekzistimi i Ligjit për nivelizim të pagave, mund t’ju pengojë që t’i ndalni keqmenaxhimet në ndërmarrjet publike?
Lluka: Siç po shihet për këtë ligj nuk ka vullnet politik. Do të ishte gjëja më e mirë për këtë vend miratimi i Ligjit për pagat sepse do të kishte kursim jashtëzakonisht të madh të buxhetit. Kemi rreth 10 200 punëtorë në ndërmarrje publike që janë të favorizuar me paga dhe që janë gati aq punëtorë në shërbimin civil. Paramendojeni tash se çfarë kursimesh do të kishim me këtë ligj. Të gjitha ndërmarrjet publike do të ishin fitimprurëse.
“Epoka e re”: Mungesë të bordit kemi dhe në “Trepçë”. U bë një vit e gjysmë nga miratimi i Ligjit për “Trepçën”, por ende ka prolongim në zgjedhjen e bordit.
Lluka: Me të vërtetë u bë një vit e gjysmë nga miratimi i Ligjit për “Trepçën” dhe as Qeveria e kaluar s’ka arritur ta finalizojë. “Trepça” ka një pjesë shumë më rëndësi në veri dhe është një minierë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Si Qeveri dëshirojmë që njësitë biznesore në Artanë, Stantërg dhe Leposaviq t’i integrojmë nën një kulm. Për ta bërë një gjë të tillë normalisht duhet ta kemi një pajtueshmëri me të gjitha palët, duke përfshirë edhe përfaqësuesit serbë në atë pjesë.
“Epoka e re”: Si do të jetë përbërja etnike e anëtarëve të bordit në ndërmarrjen “Trepça”?
Lluka: Pala serbe do t’i ketë tre anëtarë në bord nga nëntë anëtarë sa janë gjithsej, kurse një anëtar do të jetë përfaqësues i aksionarëve të “Trepçës”, pasi 20 për qind janë aksionarë punëtorët dhe 80 për qind Qeveria. Po ashtu, dy anëtarë të bordit do të jenë nga sindikata e pjesës jugore të Stantërgut dhe sindikata nga pjesa veriore. Gjithashtu, do të kenë edhe dy anëtarë shtesë. Kjo është korrekte dhe nuk pengon afarizmin, pasi prapë shumica është nga ana jonë. Pres që Bordi i “Trepçës” të krijohet paralelisht me atë të Telekomit në mesin e muajit prill.
“Epoka e re”: Ka zëra në opinion se Lista Serbe ka kushtëzuar me numrin e anëtarëve në borde në këmbim të votës së demarkacionit?
Lluka: Kur është fjala për demarkacionin me Malin e Zi është e rëndësishme të kemi aprovim sa më të gjerë të kësaj marrëveshje, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Sa më shumë që ne ia kërkojmë votën Listës Serbe i japim hapësirë të kërkojë më shumë në projekte të tjera. Unë nuk do të thosha se është e përfshirë “Trepça” në marrëveshje me demarkacionin. Keni parasysh se pjesa e minierës që gjendet në veri është e madhe dhe vazhdimisht eksporton.
“Epoka e re”: Kur prisni të kemi dividendë nga “Trepça”?
Lluka: “Trepçën” e kemi subvencionuar me 1 milion euro këtë vit. Para katër vjetësh zinku e kishte çmimin 300 euro për ton, kurse sot është 1 200 euro për ton, pra katër fish më shumë. Prandaj “Trepça” duhet të akumulojë kapital privat dhe investime, në mënyrë që ta fusim në berzat më të mëdha të minierave që është në Londër dhe Toronto. Vetëm kështu mund të fitojmë dhe të marrim dividendë.
“Epoka e re”: Ministër, çfarë mund të na thoni sa iu përket ndëshkimeve në arbitrazhe?
Lluka: Për rastin e autostradës nuk kam kompetencë të flas dhe nuk kam asnjë informatë, kurse te rasti i Telekomit përfaqësohemi nga kompania “Paton Box”. Kjo kompani është mjaft e famshme dhe sa iu përket informatave që kam marrë, situata është në favorin tonë. Pra, nuk pritet ta humbim rastin. Kompania “Paton Box” paguhet vetëm në rast të suksesit. Nëse dështon në këtë rast, nuk do të paguhet. Prandaj është interesi i kompanisë ta fitojë rastin.
Abulena S. MAVRAJ