Lluka në Gjakovë për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka deklaruar Aeroporti i Gjakovës është një aset jashtëzakonisht i madh për vendin dhe nuk duhet të lihet të shkatërrohet, por të funksionalizohet në funksion të zhvillimit ekonomik.
Këto komente, ministri Lluka i bëri sot gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku është takuar me kryetarin e komunës, Ardian Gjini, ndërsa vizitoi edhe Kompaninë Rajonale të Ujit “Gjakova”.
Ministri Lluka tha pas takimit se tema kryesore që është biseduar me kryetarin e Gjakovës ishte Aeroporti, duke shtuar se MZHE-ja dhe Komuna kanë rol të rëndësishëm në aktivizimin e tij.
“E kemi përsipër një punë jashtëzakonisht të rëndë sepse MZHE duhet të koordinojë punët me ministritë përkatëse për aktivizimin e aeroportit përmes Komisionit Ndërministror për Partneritet Publiko-Privat”, ka thënë Lluka.
Sipas tij, aktivizimi i Aeroportit të Gjakovës do të bëhet si pjesë e Aeroportit të Prishtinës dhe për këtë janë duke u shqyrtuar të gjitha format ligjore, pasi nuk mund të krijohet një aeroport dytësor në Kosovë.
“Nëse ne bashkëpunojmë me Aeroportin ePrishtinës ata kanë interesim ta marrin përsipër dhe ta aktivizojnë Aeroportin e Gjakovës, duke gjeneruar një punësim të konsiderueshëm 60-100 persona”, ka thënë kreu i MZHE-së, duke sqaruar se ky Aeroport do të jetë komercial dhe nuk do të jetë vetëm për një qëllim.