Lluka në Tokyo: Ditë e ngjeshur me plotë aktivitete e takime
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka bashkë me zëvendëskryeministrin, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tyre në Tokyo kanë zhvilluar një sërë aktivitesh dhe takime.
Lluka përmes një postimi në profilin e vet ka thënë se takimet ishin me Ekzekutivin e Japanese International Cooporation Agency, Ekzekutivin e Japan Bank for International Cooperation, Ministrin e Financave z. Kenichiro Ueno dhe Ministrin e Lojrave Olimpike të Tokyos, z. Shunichi Suzuki.
Postimi i plotë i tij:
Sot ishte një ditë e ngjeshur plot me aktivitete dhe takime!
E filluam ditën me forumin biznesor ku, para 40 bizneseve japoneze, së bashku me zv. Kryeministrin e parë, z. Behgjet Pacolli, prezantuam mundësitë që ofron Kosova për të bërë biznes. Aty gjithashtu ishte Yoshiharu Hirano i cili prezantoj rastin e tij si investitor i parë serioz nga Japonia në Kosovë.
Pastaj, nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tokyo dhe Ambasadorit Leon Malazogu, u mbajt një ceremoni për nderë të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku prezent ishin shumë Ambasadorë, deputetë, zyrtarë të lartë të shtetit, biznesmen dhe ekspertë. Me sponsorizim të Turkish Airlines, dhuruam dy bileta falas për në Kosovë përmes tërheqjes së vizitkartelave pjesëmarrëse.
Takimet e sotit ishin me Ekzekutivin e Japanese International Cooporation Agency (JICA 青年海外協力隊事務局), Ekzekutivin e Japan Bank for International Cooperation (国際協力銀行 ( JBIC )), Ministrin e Financave z. Kenichiro Ueno dhe Ministrin e Lojrave Olimpike të Tokyos, z. Shunichi Suzuki.
Takimet me JICA dhe JBIC ishin shumë frytdhënëse pasi që morrem përkrahje për të vazhduar me dorëzimin e disa projekteve në fushën e zhvillimit të sektorit privat, energjisë, energjisë së ripërtrishme, trajtimit të ujërave dhe edukimit.
Gjithashtu u pajtuam që një delegacion i përbërë nga disa ndërmarrje japoneze të vizitoj Kosovën gjatë vitit 2018 për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit me biznese vendore. `
Është mirëpritur jashtëzakonisht mirë ideja që të krijojmë një park të biznesit vetëm me biznese japoneze të cilat kanë qëllim të prodhojnë për tregun e Bashkimit Evropian që mbanë rreth 600 milionë konsumatorë. Një projekt i tillë do të gjeneronte mijëra vende pune në Kosovë, ndërkohë që do t’i ndihmonte bizneseve japoneze të jenë më konkurrues në tregun e BE-së.