Lluka nënshkruan marrëveshje për uljen e çmimit të roamingut
Në samitin digjital të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Beograd, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roamingut për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi”, do të fillojnë gradualisht që nga 1 korriku i këtij viti të ulin kostot e roamingut, ndërsa nga 1 korriku i vitit 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roamingut.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.
Ministri Lluka ka folur për arritjen e kësaj marrëveshje. Ai ka thënë se ky do të jetë një hap i mëtutjeshëm për interkonektivitet ndërmjet vendeve të Ballkanit.
“Është një lajm shumë i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor arritja e një marrëveshje të tillë. Besoj se kjo marrëveshje është edhe një hap më tutje drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal mes shteteve të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur ministri Lluka.
Komisionerja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel, ka thënë se Bashkimi Evropian do ta përkrahë këtë marrëveshje për digjitalizimin e Ballkanit.
“Kjo është marrëveshja e juaj, ne si BE do t’ju përkrahim. Ju mund të llogarisni tek mbështetja jonë dhe kjo është një ditë historike që duhet punuar në këtë drejtim. Agjenda evropiane digjitale nuk është vetëm një deklaratë, por më shumë se kaq. BE-ja ka ndarë mbi 30 milionë euro për këtë aspekt, përkatësisht për digjitalizimin e Ballkanit”, ka deklaruar komisionerja Gabriel.
Në anën tjetër, Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, ka deklaruar se kjo marrëveshje është mundësi e mirë që ndër të tjerash të lidhen edhe bizneset ndërmjet vete.
“Kjo agjendë digjitale po na ndihmon që të integrohemi edhe pse nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Sfida jonë kryesore është integrimi digjital. Kjo marrëveshje që do të nënshkruhet sot është mundësi që t’i trajtoj njëjtë qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe t’i lidh bizneset ndërmjet vete. Më shumë se 12 milionë turistët që vitin e kaluar shijuan dhe u endën mes mrekullive të Ballkanit, u kthyen pas në vendet e tyre duke rrudhur buzët për faturat e roamin-ut, edhe më të kripura se uji i detit. Të ndryshëm, por të ngjashëm, të gjithë janë në një mendje se ulja dhe heqja e tarifave të roamingut, iu vjen për shtat të gjithëve dhe ndihmon në zhvillimin e ekonomisë”, u shpreh Bregu, duke shtuar se kjo marrëveshje do të këtë ndikim, ekonomik, politik dhe social.
“Për t’i thënë gjërat troç. Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i zhvilluar ekonomikisht. Papunësia është e lartë, largimi i ‘trurit’ po rritet, të rinjtë duan të ikin. Njerëzit humbasin vendin e punës për arsye të ndryshme, por për disa të tjerë ky hovi i teknologjisë është një rrezik edhe më i madh. Jetojmë në një botë që s’po i lë më thuajse hapësirë atyre që s’përshtaten dot me teknologjinë. Je apo s’je online është çështja. Lidhjet shoqërore, ndjenjat, aktivitetet, aventurat, biznesi, politikat, qeveritë, gjithçka po kalon online”, ka thënë Bregu.
/Epoka e re/