Lluka: Nga viti 2020 Kosova do t’i kontrollojë kufijtë e vet energjetikë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, gjeneralin e Forcave Ushtarake të Zvicrës, Philippe Rebord dhe ministrin për Siguri të kantonit Wallis të Zvicrës, Frederic Favre, kanë vizituar termocentralin “Kosova A” si Termocentralin më të vjetër i ndërtuar në vitin 1962.
Vizita është bërë me kërkesë të gjeneralit të forcave zvicerane Philippe Rebord, ku me këtë rast ministri Lluka është i vetmi qeveritar që ka takuar numrin një të forcave zvicerane.
Ministri Lluka së bashku me gjeneralin kanë bashkëbiseduar për sigurinë nacionale të furnizimit me energji si dhe nevojat e vendit për investime në këtë sektor jetik për ekonominë e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, gjatë vizitës ministri Lluka ka informuar gjeneralin Rebord dhe ministrin për Siguri, Frederik Favre për pasuritë që posedon Kosova, respektivisht rezervat e linjitit
“Ne kemi ligjin për energji dhe Kosova është vendi i tretë në Evropë për rezerva të linjitit”, ka thënë ministri Lluka.
Ministri Lluka gjithashtu ka bërë me dije se nga viti 2020 Kosova do t’i kontrollojë kufijtë e vet energjetikë duke përmendur Transmisionin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Duke folur rreth projekteve kapitale në fushën e energjisë, ministri Lluka ka përmendur ndërtimi e Termocentralit “Kosova e Re”, ndërsa ka njoftuar mysafirët për aplikimin në fonde të BE-së për ndërrimin e filtrave të Termocentralit “Kosova B”.
Gjenerali Rebord ka falënderuar ministrin Lluka për prezantimin e projekteve në fushën e energjisë duke shtuar se tashmë shihet se Kosova ka një planë afatgjatë në fushën e energjisë.
/Epoka e re/