Lluka: Nuk do të paguajmë rrymë për veriun
Taksapaguesit e Kosovës nuk do të paguajnë më rrymën që shpenzohet nga qytetarët e veriut. Kështu thotë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Lluka në një intervistë për ‘Ekonomia Online’, ka thënë se pas regjistrimit të kompanisë në veri, furnizimi me energji në këtë pjesë të vendit do të bëhet në mënyrë të drejtë dhe do të bëhet faturimi i shpenzimeve përmes kësaj kompanie.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, autoritetet kompetente për sektorin e energjisë e kanë pasur të pamundur qasjen në veri dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje.
Kjo pasi katër komunat në veri të Kosovës të banuara më shumicë serbe, ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik- kushtetues të Kosovës.
Bazuar në raportet që merr Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) nga operatoret e licencuar, vlera e përgjithshme e energjisë së pa faturuar në veri të Kosovës është rreth 8 milionë euro.
Në mars të këtij viti, kryeministri Ramush Haradinaj u detyrua të ndante 1 milionë euro për të mbuluar shpenzimet e furnizimit me energji elektrike për komunat serbe në veri, në mënyrë që të evitohet përjashtimi i KOSTT nga organizatat evropiane.
“..nuk do të ketë pagesa nga buxheti i Kosovës, nuk do të ketë forma të tjera të pagesës, por do të ketë vetëm një zgjidhje. Zgjidhja është furnizimi i qytetarëve në veri në mënyrë ligjore, të drejtë dhe faturimi i tyre normalisht nga ana e një kompanie që do të regjistrohet në veri siç është pjesë e marrëveshjes”, ka thënë Lluka.
Kreu i MZhE-së, më tutje, ka bërë të ditur se zgjidhja e të gjitha problemeve me energji në Kosovë, por edhe në raport me Shqipërinë është marrëveshja me Serbinë.