Lluka: Paralajmëron formimin e një grupi ekspertësh për hetimin e kontratave të dëmshme
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka marrë pjesë të martën në tryezën e organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur me temën “Kontratat e dëmshme të Kosovës”, Kush ka faj?.
Ai në këtë tryezë ka theksuar se ndër arsyet kryesore që Kosova është dëmtuar nga kontratat e mëdha është mungesa e profesionalizmit dhe përfaqësimi joadekuat në arbitrazh.
“Kontratat janë të bëra me profesionalizëm. Problemi është se qeveria ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale pa pasur buxhetin e paraparë. Ligji për prokurim publik obligon posedimin e mjeteve kur ta nënshkruan kontratën. Problemi qëndron te qëndrimi karshi kontratës për të cilën jemi zotuar. Një pjesë e madhe e fajit është edhe përfaqësimi në arbitrazh. Për shembull, rasti me AXOS-in është rast që kemi fituar, mirëpo ku përfaqësohemi nga kompanitë vendore nuk dalim fituese”, ka thënë ai.
Ministri Lluka ka shtuar se ndërmarrjet publike janë ndër sfidat më të mëdha që Kosova ka sot. “Janë kontratat më të dëmshme që janë nënshkruar pikërisht në këto ndërmarrje. Ne jemi duke bërë një grup me juristët më të mirë që i ka Kosova, ku do të bëhet një analizë për Telekomin për 15 kontrata që janë nënshkruar e nuk zbatohen. Ato sillen nga 600 mijë euro deri në 10 milionë euro. Ideja e kësaj është ta pastrojmë Telekomin nga këto kontrata dhe të shikojmë se si mund ta rikonstrukturojmë Telekomin dhe këto janë probleme qe po shfaqen nga mosdija dhe keqpërdorimi i mundshëm. Gjatë muajit korrik komplet do të organizohet ndërsa gjashtë muaj është koha kur do të analizohen këto kontrata”, ka thënë Lluka.
Kurse drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvestit, Alban Hashani, ka prezantuar një studim të hartuar nga ky institut, ku ka përmendur mungesën e transparencës dhe profesionalizmit.
Ai ka kërkuar ngritje të rolit të prokurorisë në këtë aspekt, si dhe të atij të Kuvendit.
Hashani ka përmendur edhe mangësitë kryesore të kontratave. “Së pari, vërehet qartë se ka mungesë të profesionalizmit në dizajnimin e kontratave publike, së dyti, ka mungesë të theksuar të transparencës, dhe së treti, ka dyshime po edhe vërtetime të keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, është shprehur Hashani.
Në mungesë të ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, ka folur zëvendësministri Fehmi Mujota, i cili ka thënë se secila qeveri duhet t’i zbatojë kontratat që merr nga qeveria paraprake, sepse në të kundërtën mund të shkaktojë dëme.
Ai ka thënë se problemi i kontratës së “Bechtel Enkas” është investimi te projektet e vogla.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka thënë se qeveria ka përgjegjësi ndaj publikut, kurse kompania private nuk ka përgjegjësi për paranë publike.
Sipas Sejdiut, klauzola e konfidicalitetit nuk duhet të ketë vend në kontrata publike. “Për mua është shumë e pakuptimtë kur një ministër ose një qeveri e merr një vendim pa e marrë mendimin e një kompanie e cila po paguhet diku 8 milionë euro”, është shprehur Sejdiu.
/Epoka e re/