Lluka pas samitit në Beograd: Kosova për herë të parë u prezantua me të drejta të barabarta si shtetet e tjera
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, në një konferencë për medie të premten ka shpalosur detajet lidhur me Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Beograd, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për heqjen e tarifave të roamingut.
Ai ka bërë me dije se me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, qytetarët e Kosovës do të kenë reduktime të çmimeve roaming në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni Veriore, Bosnje dhe Hercegovinë, dhe Serbi).
Vlen të theksohet se për herë të parë një ministër në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshje në Beograd si Kosovë dhe jo si shtet nën administrimin e UNMIK-ut.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roamingut për vendet e Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e quajtur “Roaming si në shtëpi”.
“Për herë të parë Kosova është prezantuar si një vend me të drejtat të barabarta si të gjitha shtetet e tjera dhe kemi nënshkruar ketë marrëveshje që pritet të implementohet nga 1 korriku i këtij viti. Nga kjo marrëveshje do të ketë reduktime të ashpra të çmimeve në tarifa dhe në korrik të vitit 2021 pritet të hiqet tërësisht roamingu. Kemi qenë një delegacion i madh nga Kosova dhe për herë të parë rreth 30 vete ishim prezentë, duke përfshirë rregullatorin e Telekomit, kabinetin e kryeministrit dhe përfaqësues të bizneseve, Qendrës Inovative dhe dy shkollave që ishin pjesë e programit të British Cancel. Pra ishte një ditë historike”, ka deklaruar Lluka.
Lluka ka bërë me dije se me anë të kësaj marrëveshje do të ketë reduktime të “ashpra” të çmimeve, nga 2.5 euro sa ishte për një minutë në 0.19 cent. “Pastaj në vitin 2020 në 0.16 centë, për t’u eliminuar tërësisht nga 1 korriku i vitit 2021”, ka thënë Lluka.
/Epoka e re/ A. MAVRAJ