Lluka priti një delegacion të “The Heritage Foundation”
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur një delegacion të “The Heritage Foundation”, të udhëhequr nga nënpresidenti, James Jay Carafano, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend.
Ministri Lluka me këtë rast ka njoftuar delegacion e “The Heritage Foundation” me prioritet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, duke u fokusuar në sektorët strategjikë si energjia dhe minierat.
Kreu i MZHE-së, u ndal te projektet që janë në proces të realizimit në sektorin e energjisë, që njëherit janë investimet më të mëdha të huaja direkte të ndodhura në vend.
Ai ndër të tjera, bëri të ditur masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të përmirësuar mjedisin për investimet e huaja, duke përmendur këtu përmirësimin e kornizës ligjore dhe institucionale në funksion të krijimit të lehtësirave për investitorët.
Ministri Lluka duke u bazuar në eksperiencën e këtij fondacioni, shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim me qëllim të përmirësimit të politikave ekonomik dhe promovimin e mundësive për investime në Kosovë.
Ndryshe “The Heritage Foundation” është një institucion i pavarur joprofitabil, i specializuar në krijimin dhe promovimin e politikave publike dhe kërkime, të bazuara në parimet e sipërmarrjes së lirë, lirisë individuale, vlerave tradicionale amerikane.
/Epoka e re/