Lluka: Qeveria po e trajton me prioritet trajtimin e ujërave të zeza
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës është duke e trajtuar me prioritet çështjen e ujërave të zeza dhe me investimet që po bëhen në këtë sektor synohet që të trajtohen deri në 80 për qind e tyre.
Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri gjatë ceremonisë së inaugurimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Mramor të Prishtinës, ku të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ambasadori i Republikës Çeke Ivo Silhavy dhe kryeshefi ekzekutiv i KRU ‘Prishtina”, Ilir Abdullahu.
Duke folur për investimet në këtë sektor, ministri Lluka ka thënë se tash së fundmi është vënë gurthemeli i impiantit për trajtim të ujërave të zeza edhe në qytetin e Gjakovës, dhe shumë shpejt do të vendoset në Pejë, derisa në Prizren është vendosur tash vonë.
Sipas tij, këto projekte kanë rëndësie të jashtëzakonshme sepse, mbulojnë fshatra, qytete dhe aktualisht ujërat e zeza derdhen në liqene.
Nga ana e tij, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë ndihma e Çekisë për projekte të tilla është e mirëseardhur.
Ai ka falënderuar popullin e Çekisë për këtë projekt të një rëndësie të veçantë për banorët e Prishtinës.
Ambasadori i Çekisë, Ivo Silhavy, ka vlerësuar se ky është projekt i rëndësishëm për ujin e pijshëm që marrin njerëzit e Kosovës dhe u shpreh i lumtur që Qeveria e Çekisë mund ta ndihmojë Kosovën në një projekt të tillë.
Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KRU ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu, ka theksuar se projekti është i një teknologjie të avancuar dhe është impianti i dytë pas impiantit të Harilaqit.
Impianti në Mramor të Prishtinës është një investim i Republikës Çeke në vlerë prej 700 mijë euro.
/Epoka e re/