Lluka: Së shpejti zgjidhja për drejtimin elektroenergjetik të Universitetit të Prishtinës

24 maj 2019 | 14:51

Është mbajtur takimi i Grupit Punues, i cili do të shqyrtojë mungesën e kuadrove dhe të ardhmen e drejtimit elektroenergjetik në Universitetin e Prishtinës, i cili është formuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Në përbërje nga të gjithë akterët relevant, Grupi Punues ka shqyrtuar situatën aktuale nëpër të cilën po kalon drejtimi elektroenergjetik në Universitetin e Prishtinës, më këtë rast janë propozuar zgjidhjet dhe masat të cilat duhet të ndërmerren në mënyrë që drejtimi elektroenergjetik pranë Universitetit të Prishtinës të mos rrezikoj mbylljen.

Ministri Lluka para Grupit punues ka rikonfirmuar edhe njëherë vullnetin politik për të gjetur një zgjidhje afatgjate për drejtimin elektro energjetik, duke theksuar rëndësinë që ka ky drejtim në përgatitjen e kuadrove për të cilët do të ketë nevojë sektori energjetik, si një nga punëdhënësit më të mëdhenj për 20 vitet e ardhshme. Lluka po ashtu ka njoftuar Grupin Punues se është duke punuar me institucionet vendore dhe institucione/donatorë ndërkombëtarë për të siguruar bursa për studentet të cilët studiojnë këtë drejtim.

Kosova ka kaluar një strategji 10 vjeçare për energji e cila parasheh rreth 3 miliardë euro investime në këtë sektor, ndërsa po përballemi me mungesë të kuadrove. Sektori i energjisë do të jetë punëdhënësi kryesor në 20 vitet e ardhshme dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të rrezikojmë mbylljen e Fakultetit të Elektros në Universitetin e Prishtinës.

Pas mbylljes së programit të doktoratës dhe atij të magjistraturës, po rrezikohet seriozisht edhe programi bachelor, kryesisht për shkak të mungesës së kuadrove të cilët pothuajse të gjithë janë pensionuar.

Grupi Punues në bazë të mandatit, në ditët në vijim do të i propozoj Qeverisë së Republikës së Kosovës zgjidhjet për drejtimin elektroenergjetik, drejtim ky jetik për zhvillimin e sektorit energjetik në vendin tonë.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skënder Gjinushi, kandidati i vetëm për kryetar të Akademisë së…