Lluka: Telekomi në prag të falimentimit

03 maj 2019 | 14:27

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka raportuar të premten para anëtarëve të Komisionit Parlamentar Hetimor për Telekomin e Kosovës.

Ai ka thënë se Telekomi i Kosovës është pranë falimentimit për arsye të operimit me humbje rreth 15 milionë euro në vit.

Ministri Lluka ka thënë se shqetësuese mbetet vendimi gjykatës për kontratën me “Z- Mobile”, ku është paralajmëruar se kjo kontratë do të dërgohet te përmbaruesi privat.

Për shkëputjen e kontratës me “Z Mobile”, Lluka ka thënë se si ministër nuk e ka autoritetin për shkëputje të kontratave të njëanshme me këtë kompani.
Sipas Llukës, Telekomi vazhdimisht këto vitet e fundit ka qenë në gjendje të keqe për shkak të mbipunësimit dhe shumë çështjeve të tjera.

Ai ka thënë se zgjidhja ideale për Telekomin është privatizimi, me ç’rast bëri me dije se janë katër kompani ndërkombëtare të interesuara për privatizim.
Kryesuesi i Komisionit Hetimor, deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka deklaruar se duhet vlerësim i tërësishëm për Telekomin, në veçanti për kontratat.

Pikërisht për këto, ai ka kërkuar nga ministrit Lluka që të bëjë një analizë si ministër i linjës për gjitha kontratat me palët e treta.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar të di se cila është arsye e moszbatimit të rezolutës së miratuar vitin e kaluar sa i përket çështjes së Telekomit.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Telekomi është degraduar në forma të ndryshme, duke u nisur me mbipunësimin, marketingun dhe pagesat për qira të objekteve.

Në këtë mbledhje, edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar informacione për katër familjarët e punësuar të anëtarit të Bordit të Telekomit.

/Epoka e re/A.M

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu, të premten mori…