Lluka : Termocentrali “Kosova e Re” përfundon më 2023
Qeveria e Kosovës më në fund ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane “ContourGlobal”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky i filluar qysh në vitin 2006.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se marrëveshja financiare pritet të nënshkruhet javën e ardhshme. Ndërtimi i termocentrali që do të ketë një bllok prej 500 megavatëve, do të kushtojë 1.3 miliardë euro.
“Presim që në fund të vitit 2018, eventualisht në fillim të vitit 2019, të fillojë ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, kurse në fillim të vitit 2023, presim ta kemi termocentralin funksional”, ka thënë Lluka.
Projekti për ndërtimin e termocentralit ka filluar në vitin 2006, kur Ministrinë e Energjisë dhe Minierave e ka udhëhequr Et’hem Çeku. Çeku nënshkrimin e projektit e konsideron si hap pozitiv në aspektin e furnizimit të qëndrueshëm, por thotë ai, kapacitetet elektrike prej 500 megavatësh janë të pamjaftueshme për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik.
“Mirëpo, ky është zhvillim jo i mjaftueshëm që të arrijë të mbulojë kërkesat apo nevojat që Kosova ka. Qeveria e Kosovës është dashur të mendojë edhe për krizat energjetike në rajon siç kishim krizat e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni. Prandaj, nëse krahasohet koncepti i menaxhimit të resurseve natyrore me konceptin e zhvillimit ekonomik më duket se institucionet e Kosovës që nga viti 2007 më shumë kanë bërë regres sesa progres”, ka thënë Çeku.
Sipas projektit fillestar, ndërtimi i termocentralit ishte paraparë të bëhet me kapacitet të prodhimit prej 2100 megavatesh, 1600 megavatë më shumë se në marrëveshjen aktuale. Ky projekt, për vite të tëra, apo varësisht nga ndryshimi i Qeverisë, ka pësuar edhe ndryshime.
Ministri Lluka konsideron se kapacitetet prodhuese prej 500 megavatësh janë të mjaftueshme, pasi, thotë ai, në të ardhmen do të investohet më shumë në rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme.
“Aktualisht, Kosova ka dhënë deri në 200 megavat të energjisë në forma të ndryshme, qoftë me erë, qoftë solare apo me ujë. Mirëpo, unë parashoh që edhe 70 megavatë shtesë t’i rrisim gjatë vitit 2018. Në përgjithësi, ne duhet që t’i plotësojmë kriteret për 25 për qind nga energjia e ripërtërishme. Bazuar në këtë, ne do të kemi energji të mjaftueshme”, shpjegoi ai.
Megjithatë, ministri Lluka tregon se me ndërtimin e këtij projekti, rritja ekonomike në Kosovë do të arrijë në 5 për qind, kurse gjatë procesit të ndërtimit, do të punësohen 10 mijë qytetarë.
“Ajo që është me rëndësi për ne, është punësimi i qëndrueshëm. Dhe, në punësim të qëndrueshëm në formë direkte do të punësohen 500 punëtorë”, ka deklaruar Lluka.
Arritjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë fituese, e ka përshëndetur edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Në një komunikatë për media, thuhet se humbjet ekonomike shkojnë në 300 milionë euro në vit, për shkak të furnizimit të pasigurt më energji elektrike.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara, thuhet më tutje në komunikatë, ka punuar me Kosovën që nga viti 2003 që t’ia sigurojë asaj të ardhmen energjetike, dhe ka përkrahur përsëritje të ndryshme të këtij projekti që nga viti 2006.