Lluka: Zvogëlimi i rrogave në Telekomin e Kosovës, emergjencë për shpëtimin e tij
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka mohuar se arsyeja për dështimin e mbledhjes së Qeverisë ishte vendimi i kryeministrit për uljen e pagave të punëtorëve të Telekomit të Kosovës.
“Jam i sigurt që kjo çështje nuk ka qenë pikë e rendit të ditës. Pikat e tilla janë të ndjeshme dhe shumë me rëndësi. Nuk guxon të futet kjo pikë tek kategoria ‘Të ndryshme” dhe të vijë si surprizë, duhet të informohen ministrat në mënyrë zyrtare”, ka thënë ai në “Klan Kosova”.
Ai ka komentuar edhe uljen e mundshme të pagave të punëtorëve të Telekomit të Kosovës.
“Jemi duke punuar në atë aspekt, janë diskutuar masat emergjente për shpëtimin e Telekomit. Është koordinim i punëve që po bëhen për të mirën e Telekomit – ulja e shpenzimeve administrative, pagat, qiratë, shpenzimet e mirëmbajtjes dhe aty ku ka hapësirë për përmirësim”, ka thënë Lluka.
Lluka ka thënë se nuk qëndrojnë spekulimet se pagat në Telekom do të ulen për 40%.
“Nuk është e vërtetë, është spekulim. Janë propozime që vijnë në Ministri. Planifikoj që javën tjetër të thirret Komiteti Ndërministror që i shqyrton këto masa si planet afatshkurtra dhe afatmesme për shpëtimin e Telekomit dhe më pas i propozon Qeverisë për të vepruar tutje. Këto masa jo që janë të domosdoshme, por janë të vetmet të mundshme që mund ta shpëtojnë Telekomin”, ka deklaruar Lluka.