Llumnica: Mbi 600 punëtorë të KEK-ut pritet të pensionohen në tri vitet e ardhshme
Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka paralajmëruar një mungesë të konsiderueshme të stafit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) gjatë tri viteve të ardhshme, si pasojë e pensionimeve dhe interesimit të ulët për punësim.
Llumnica ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2024 janë pensionuar 210 punëtorë.
Ndërsa, në periudhën 2025-2027 pritet që 608 punëtorë të tjerë të largohen për shkak të moshës.
“Vetëm në vitin 2024 i kemi pasur 210 punëtorë të cilët janë pensionuar. Kurse në tri vitet e ardhshme janë 608 punëtorë që do të pensionohen. Pra ne shohim që qytetarët e Kosovës ikin jashtë vendit ndërsa në KEK ka mungesë të madhe të punëtorëve. Kohë e fundit ne kemi pasur edhe mungesë të njerëzve që konkurrojnë si për shembull kemi pas konkurs të salduesve, ku konkursin e kaluar kemi kërkuar 33 saldues janë pranuar vetëm 16”, ka thënë Llumnica.
Sipas tij, KEK-u ka nevojë edhe për rreth 1,700 punëtorë.
“Besoj që janë rreth 3,600 punëtorë dhe si rezultat i kësaj ne kemi mungesë edhe për 1,700 punëtor, në bazë të skemës organizative të vitit 2016”, ka shtuar Llumnica./ Debat Plus