Llumnica: T’u besojmë trajnerëve vendës

14 shkurt 2019 | 14:01

Analisti dhe trajneri i futbollit Ardian Llumnica ka apeluar te klubet në Kosovë që t’u besojnë më shumë trajnerëve vendës për faktin se nuk kanë shumë dallim për nga cilësia me trajnerët e ardhur nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Skuadra kampione e Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, ka ndarë të hënën rrugët me trajnerin nga Shqipëria, Shpëtim Duro. Kjo “ndarje” erdhi pas eliminimit të skuadrës gjilanase nga gara e Kupës dhe mbetjes larg garës për ta mbrojtur titullin në Superligë. I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, analisti i futbollit, Ardian Llumnica, ka thënë se klubet duhet t’u besojnë më shumë trajnerëve vendës, pasi nuk dallojnë shumë për nga cilësia me trajnerët nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Llumnica ka bërë me dije se në përjashtim të Mirel Josës dhe Zekrija Ramadanit, të tjerët nuk i kanë përmbushur pritshmëritë. “Në përjashtim të Zekrija Ramadanit që është shpallur kampion me Trepçën ’89 dhe tash është në rrugë të mirë me Feronikelin dhe Mirel Josën që e fitoi edicionin e kaluar Kupën me Prishtinën e që tash është eliminuar nga kjo garë, lirisht mund të themi se trajnerët e tjerët nuk i kanë arritur t’i përmbushin pritshmëritë. Në përgjithësi struktura e trajnerëve në Kosovë është e afërt, me trajnerë regjionalë nga Shqipëria ose Maqedonia. Kemi një gjeneratë trajnerësh të rinj që janë premtues, por që duhet t’u besojmë në punën dhe vizionin e tyre”, ka thënë Llumnica, i cili ka pranuar se trajnerët e ardhur në Kosovë kanë sjellë një frymë të re dhe se konkurrenca është shtuar shumë. “Trajnerët nga Shqipëria dhe Maqedonia kanë sjellë një frymë të re të punës dhe menaxhimit, kanë rritur konkurrencën dhe, si të tillë, kanë ndikuar që Superliga të jetë më interesante. Mendoj se edhe klubet duhet të janë të qarta se çka kërkojnë në një sezon. Nuk mjafton një trajner i huaj dhe të kërkosh rezultate”, ka shtuar ai.

Analisti Ardian Llumnica e ka quajtur gabim të madh edhe largimin e trajnerit Bekim Isufi nga skuadra e Dritës, sidomos pas suksesit të arritur në kampionatin e kaluar. “Largimi i Bekim Isufit nga Drita si kampion ka qenë i panevojshëm dhe aty është parë se diçka nuk është në rregull në menaxhim dhe, si zakonisht që po na ndodh në futbollin tonë, të mos kemi një kampion stabil nga viti në vit, sepse në vitin pasues nga ai i suksesit secila skuadër po çalon, madje po vjen në pozitë të luftojë për mbijetesë. Paraprakisht mendoj se asnjë trajner dhe asnjë klub nuk duhet të bëjë marrëveshje me garancinë për rezultate sepse në sport nuk ka asgjë të sigurt”, ka përfunduar Llumnica.

Në muajin e kaluar për “Epokën e re” trajneri Musa Selimi, që është edhe dekan në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit, kishte deklaruar se ardhjet e këtyre trajnerëve e pasurojnë futbollin por, sipas tij, klubet duhet më shumë t’u besojnë trajnerëve dhe futbollistëve vendës. “Normalisht se e kanë pasuruar dhe e kanë shtuar konkurrencën në futbollin e Kosovës, por jam ithtar i asaj që t’u besohet më shumë trajnerëve dhe futbollistëve vendorë”, kishte deklaruar Selimi.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinator nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ka prezantuar para…