Loci dhe Berisha: Kemi synime të mëdha ndaj Legias
KB Prishtina do të përballet me Leagian më 17 shtator në Prishtinë në kuadër të Basketball Champions League. Trajneri Bujar Loci dhe basketbollisti Dardan Berisha janë optimistë për këtë ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën kampione të Kosovës. Ata presin fitore në ndeshjen e parë në mënyrë që ndeshja kthyese të jetë më lehtë e kalueshme.
Sigal Prishtina po vazhdon përgatitjet për garat ndërkombëtare. “Bardhekaltrit” do të garojnë në Basketball Champions League, ku në rrethin e parë të kualifikimeve do të ndeshen me Leagian e Varshavës. Kundërshtari është shumë i fortë por, sidoqoftë, Prishtina nuk dorëzohet.
Trajneri Bujar Loci flet për synimet e bardhekaltërve. “Ne do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mirë. Edhe pse Leagia është një skuadër shumë e fortë ne do ta japim maksimumin”, ka thënë Loci për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 17 shtator në Prishtinë, kurse ajo e kthimit më 20 shtator në Poloni. Dardan Berisha është optimist para sfidës së parë. “Tashmë jemi të kompletuar dhe po përgatitemi për ndeshjet ndaj Legias. Ndeshja e parë zhvillohet në shtëpinë tonë dhe me ndihmën e publikut. Nëse arrijmë rezultat pozitiv, atëherë gjithçka është e mundur. Gjithsesi, edhe nëse eliminohemi nga kjo garë, do të luajmë në FIBA Europe Cup. Dihet se synimet e Prishtinës gjithmonë janë të mëdha dhe ne do ta japim maksimumin”, ka thënë Berisha për faqen e FBK-së.
Nëse skuadra e Prishtinës e kalon Legian e Varshavës, atëherë do të ballafaqohet me skuadrën ruse, Nizhny Novgorod. Ndeshjet ndaj skuadrës ruse do të zhvillohen më 26 dhe 29 shtator. Nëse Prishtina e kalon edhe këtë kundërshtar do të luajë në grupe. Bardhekaltrit do të jenë në Grupin C. Në Grupin C do të luajnë Riga, Peristeri, Gaziantep, Tenerife, Cez Nymburk, Bamberg dhe fituesi Benfica /Groningen/Mornar. Pra, Benfica do të ndeshet me Groningenin e më pas fituesi me Mornarin dhe fituesi kualifikohet ne Grupin C. Në grupe do të jenë 32 skuadra, që janë ndarë në katër grupe me nga tetë ekipe, ku katër të parat kalojnë tutje.
/Epoka e re/