Logjika e kërcënimit të institucioneve ka perënduar
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se është më shumë se kurrë i fokusuar në fuqizimin e shtetit ligjor. Duke folur për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, për të cilën thuhet se ka ardhur si shkak i kërcënimit, ministri Tahiri ka theksuar kjo çështje mbetet për t’u sqaruar dhe janë tjera organe ato që konstatojnë në rast se ka pasur kërcënime apo jo.
Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është e papranueshme që zyrtarët e institucioneve që zbatojnë ligjin, për shkak të punës së tyre të kërcënohen nga kushdo qoftë.
“Mesazhi që unë kam përçuar dhe që i qëndroj plotësisht është se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të duhej dhe nuk mund të shpresojë se Republika e Kosovës dhe institucionet e saj do të bien pre e presionit, kërcënimit apo shantazhit”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se mekanizmat e rendit dhe ligjit kanë nevojë për një koordinim akoma më të mirë.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e së shtunës të gazetës “Epoka e re”)