LOGJIKA E RRËNIMIT DHE AKULTURIMI NË SHOQËRINË TONË

07 tetor 2023 | 17:24

Ismet Rashiti

Të gjithë jemi dëshmitarë se viteve të fundit në vendin tonë po përdoret një gjuhë banale, rrënuese dhe degraduese ndaj njëri tjetrit, ndaj personaliteteve më të larta, por edhe ndaj institucioneve dhe çdo gjëje tjetër. Me një fjalë për shkak inateve, me duart tona, po rrënojmë të sotmen dhe të nesërmen e vendit tonë. Mjafton njeriu ta përcjell një seancë të Kuvendit të Republikës dhe të bindet se në çfarë niveli të ulët ka degraduar gjuha e debatit parlamentar. Kështu ndodhë edhe në institucione tjera të të gjitha niveleve. Deputetët apo zyrtarët tjerë, po harrojnë se para televizioneve ndodhen qytetarë të pafajshëm, intelektualë të kalibrave të ndryshëm, deri edhe fëmijë të moshave të ndryshme. Gjuha e deputetëve, sikurse edhe e « analistëve » , ka degraduar aq shumë sa nuk shikohen, as nuk dëgjohen. Madje një gjuhë e tillë edhe duhet të penalizohet. Çdo e dyta fjalë është fyerje si « rrenc », « hajn » , « kriminel », madje edhe fyerje e fjalë seksiste e banalitete tjera, deri tek sulmet fizike të cilat sjellje dosido kanë krijuar një ambient toksik e një akulturim në vendin tonë. Për më tepër, kur këta janë përfaqësues të popullit dhe punojnë në tempullin e demoracisë, lirisë dhe drejtësisë. Teksa dëgjon këtë gjuhë dhe këtë nivel kulturor të këtyre përfaqësuesve, vetvetiu shtrohet pyetje : Çka po ndodhë me ne, ku jemi dhe nga po shkojmë ?!
Mospajtimet politike janë të natyrshme në shtetet pluraliste demokratike, por ato gjithsesi duhet të shprehen me një gjuhë civilizuese, të argumentuar dhe me respekt ndaj njëri tjetrit. Kjo do të ishte vlerë e një shoqërie që pretendon të ecë krah popujve të civilizuar.
Një dukuri tjetër po kaq e dëmshme vërehet edhe në mjedise arsimore, intelektuale dhe debate private nëpër koluare të ndryshme . Çdo kush përpiqet të mbizotëroi mbi tjetrin, jo me punë, jo me kulturë, jo me konkurrencë të ndershme, jo me fakte dhe alternativa, por me thashetheme, me xhelozi, shtyrje bërrylash e hipokrizi të natyrave të ndryshme. E keqja është se duke dashur të ngritemi vet, përpiqemi t’a rrënojmë punën e mirë të tjetrit përmes inskenimeve të ndryshme dhe gjuhës rrënuese, duke i parë vetëm anët negative dhe madje edhe duke i rritur e stërmadhëruar me qëllime kompromituese. Kjo mënyrë e sjelljes, jo vetëm që e « dëmton » një person, por gjithsesi ndikon në toksimin e shoqërisë dhe të ambientit ku jetojmë. Prandaj është gjuhë e amorale dhe akulturore që në asnjë mënyrë nuk duhet të përkrahet e të lejohet në meset e shoqërisë tonë.
E dhimbshme është kur njeriu dëgjon të fyhen me fjalë të rënda personalitetet më të larta kombëtare, intelektuale dhe profesionale nga ata që nuk e njohin fare dhe nuk kanë lexuar asnjë rresht nga veprimtaria e tyre letrare dhe artistike. Personalisht më ka rastisur të dëgjoj persona duke e fyer Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen, Nënë Terezën, Gjergj Kastriotin dhe shumë figura emblematike të historisë dhe jetës sonë të përditshme. Degradimi i gjuhës ka shkuar deri në atë shkallë sa të përçmohen heronj e dëshmorë që kanë dhënë jetën për çlirimin e Atdheut tonë. Kjo gjuhë, kaq e rrezikshme vjen nga të gjitha anët institucionale, kulturore, arsimore dhe qytetare, thjesht për shkak mosdurimeve politike dhe inateve personale. Mos të harrojmë se duke e rrënuar njëri tjetrin, shkojmë drejt një humnere të pafund nga e cila na duhet kohë të dalim. Mbase edhe mund të fundosemi përgjithmonë si një shoqëri e dështuar.
Pse duhet të përdoret gjuhë fyese dhe aspak qytetruese, kur kemi mundësi mospajtimet tona ti shprehim me një gjuhë të kulturuar dhe të respektit ndaj njëri tjetrit. Me këtë gjuhë krijojmë një shoqëri të besuar, të civilizuar dhe bashkëkohore karshi atyre vendeve të zhvilluara. Mos ta ndotim ambientin tonë të bukur dhe shoqërinë tonë të mrekullueshme me gjëra të tilla të cilat nuk janë traditë e popullit shqiptar. Gjuha shqipe është shumë e pasur që na ndihmon të shprehim mendimin ndryshe me fjalë të zgjedhura, e me kujdes të madh që mos ta lëndojmë tjetrin. Rrënimi i vlerave ndaj njëri tjetrit është rrënim i zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit dhe shoqërisë sonë !
Të flasim më shumë për librin, për shkencën, për bibliotekat, për artin dhe demokracinë, duke afruar konkurrencë, alternativa dhe vlera të mirëfillta shoqërore ! Vendit tonë i duhet forcimi i institucioneve të mirëfillta demokratike që e ndihmojnë nivelin kulturor të qytetarëve dhe i bashkojnë ata rreth së bukurës dhe përparimit në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Nuk na duhet mbjellja e farës së keqe përçarëse dhe « luftës » ndaj njëri tjetrit për nevoja të ngushta « meskine ».

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 198 palestinezë u vranë në Gaza të shtunën,…