Logorrea dhe kapsllëku i ideve të “mendjendriturit” Adri Nurellari
Shkruan: Bilall Sherifi
Shkrimin e tij të titulluar “Anti-thaçizmi si dëshmi e shterpësisë së mendimit politik në Kosovë” Adri Nurellari e fillon me thënien e Eleanor Roosevelt, sipas së cilës, “mendjet e ndritura diskutojnë për ide, mendjet mesatare diskutojnë për ngjarjet ndërsa mendjet e vogla diskutojnë për njerëz”.
Duke e konsideruar veten për “mendje të ndritur”, Adri Nurellari shpreh keqardhje se: “në Kosovë prej shumë vitesh dominon debati politik mbi persona e jo mbi ide e zhvillime sikurse ndodh në vende me kulturë politike më të avancuar”. Me një fjalë, ai i jep të drejtë vetes t’i cilësoj si “mendje të vogla” të gjithë ata që marrin pjesë në diskutimet publike në skenën politike në Kosovë. Madje ky “mendjendritur” nivelin e debatit politik në Kosovë e krahason me thashethemet e kafeneve dhe përplasjet e tifozëve të futbollit ku në mungesë të mendimeve dominon “diarrea” e fjalëve boshe.
Para se të vazhdoj me shkrimin e tij e shoh të domosdoshme të theksoj se, sipas mendimit tim, nuk mund të ketë fyerje më të rëndë se sa kur niveli i debatit që zhvillohet në Kosovë kualifikohet si “barkqitje fjalësh”. Është me rëndësi që Adri “mendjendrituri” ta kuptojë se në rastet kur kemi vërshim fjalësh, “në vendet me kulturë politike të avancuar”, përdoret shprehja “logorre”. Megjithatë është tepër e vështirë që njerëzit të cilët i ka kapluar kapsllëku në kokë ta konceptojnë ndryshe nxjerrjen e fjalëve, që janë bartëse të mendimeve dhe të ideve. Në të vërtetë ata nxjerrin për goje atë që kanë në bark. Jo rastësisht ky “mendjendritur” e quan “diarre fjalësh”.
Në mënyrë të njëjtë si një numër analistësh tjerë, edhe Adri Nurellari përdor termin “thaçizëm” pa e përkufizuar se çka nënkupton me këtë term. Dihet se prapashtesa “izëm” shërben për të përcaktuar një doktrinë filozofike (hegelizëm, marksizëm, hedonizëm etj), politike (kapitalizëm, socializëm, despotizëm etj) apo fetar (judaizëm, hinduizëm, islamizëm etj). Kjo prapashtesë përdoret edhe në rastet kur nuk kemi të bëjmë me asnjë drejtim filozofik, politik apo fetar, por për të cilësuar veprime të individëve të caktuar si për shembull: “servilizëm”, “esadizëm” apo termi “idiotizëm”, nëse përdorim një term nga psikologjia-psikiatria, që i pëlqen “mendjes” së z. Nurellari.
Si mund të flitet për “anti-thaçizëm” pa e përkufizuar se çka nënkuptohet me ‘thaçizëm”? Apo ndoshta z. Nurellari niset nga bindja e tij se për “mendjet e ndritura si ai” mjafton të përmendet termi i caktuar dhe të gjithë do ta kenë qartë idenë për të cilën diskutohet. Përmendja e një termi të ri, pa e përkufizuar atë, nuk ështe asgjë tjetër pos dëshmi e “sterilitetit dhe varfërisë së mendimit” të personit që vepron në këtë mënyrë.
Vetëm “mendjet e vogla” mund të nisen nga ideja se nuk ka nevojë të definohen nocionet paraprakisht. Para se të fliste për “anti-thaçizëm” për të gjithë ata që kanë dalë kundër idesë serbe të ndarjes së Kosovës, Adri Nurellari duhet të deklarohet se në cilën kategori e vendos termin “thaçizëm”. Një gjë është e sigurt: thaçizmi nuk mund të jetë as doktrinë filozofike e as politike. Të mos flasim për fetare. Atëherë, “mendje ndrituri Adri Nurellari” duhet të na tregojë se përmes cilave veprime e karakterizon “thaçizmin”.
Kultura politike e vendeve të avancuara nuk pranon logjikën totalitare e cila, në rastin konkret, manifestohet me sulme si të kohës së komunizmit, kur kundërshtarët politik apo ideologjik jo vetëm që sulmoheshin për bindjet dhe qëndrimet e tyre, por denigroheshin personalisht në të gjitha aspektet, me qëllim të asgjësimit të plotë. Nuk mund të ketë asgjë më totalitare për kulturën e vendeve të avancuara se sa kur mbrohet logjika e absolutizmit të formës “shteti jam unë”! Lavdithurjet që Adri Nurellari u bën veprimeve të Hashim Thaçit dhe sidomos identifikimi i shtetit të Kosovës me presidentin e saj, është mendësi anakronike që përpiqet të legjitimojë absolutizmin. Nëse dikush demonstron se mbi interesat shtetërore vihen interesat individuale, atëherë shkrimi i Adri Nurellarit ështe shembull i kësaj logjike.
Për çfarë kulture politike të avancuar flet Adri Nurellari kur në funksion të denigrimit dhe përbaltjes së kundërshtarëve politik të idhullit të tij, merr rolin madje edhe të “psikologut/psikiatrit” për t’i diagnostifikuar si “njerëz me psikozë” kushdo qoftë që ka marrë guximin për të mos “luajtur lojën” e Hashim Thaçit. Nuk mund të ketë “dimension më të madh të personalizimit të politikës dhe të diskutimit për njerëz” se sa prezantimi i motiveve të kundërshtarëve të idhullit të Adri Nurellarit si gjoja na qenkëshin të nxitura “nga hatërmbetja, marazi, mëria, inati, zilia, xhelozia, lakmia personale apo forma të tjera të ngjashme kompleksesh”. Cilësimi i tillë është logjikë e oborrtarit e kurrsesi ligjërim në përputhje me kulturën dhe sistemin e vlerave demokratike.
Për mendimin tim asgjë nuk mund të cilësohet më “psikotike” se paranoja e z.Nurellarit se gjoja “kundërshtarët e Hashim Thaçit na paskëshin krijuar koalicionin e të obsesionuarve anti-thaçistë”.Sulmet mbi kundërshtarët me aq “zjarr dhe të ngarkuara emocionalisht kanë nxjerrë tërësisht nga loja arsyen dhe logjikën” demokratike dha ka vë në pah fyerjet banale të logjikës komuniste, që shtiret se gjoja e denoncon.
Në përputhje të plotë me logjikën e oborrtarit dhe të “postës së porositur”, Adri Nurellari prezanton si të vërteta absolute ato që i janë thënë nga padronët e tij që t’i plasojë si të tilla. Pas “rolit të psikologut/psikiatrit”, “mendjendrituri” del në opinion si njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare. Në rastin konkret, ai propagandon se gjoja Kosova ballafaqohet “aktualisht me një kontekst politik ndërkombëtar të favorshëm por shumë delikat e relativisht i përkohshëm që mund të sigurojë mbylljen e konfliktit me Serbinë dhe çimentimin e subjektivitetit ndërkombëtar shtetëror të Kosovës”.
Çdo lexues i vëmendshëm që ka ndjekur konferencat e Hashim Thaçit e sheh se Adri Nurellari nuk bën asgjë tjetër në shkrimin e vet, pos një kopjim tekstual të ligjërimeve të Hashim Thaçit. Të vetmin “ndryshim” që z. Nurellari bën në tekstin e tij lidhet me afatet e dëshiruara të realizimit të “marrëveshjes finale”. Perderisa Hashim Thaçi këmbëngulë që këtë marrëveshje ta bëjë më së voni muajt e ardhshëm, “mendjendrituri” Nurellari pohon se gjoja “ekziston një presion ndërkombëtar nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të për ta shtyrë përpara e finalizuar sa më shpejt një marrëveshje të plotë juridikisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë”.
Cili nga njerëzit që kanë ndjekur zhvillimet rreth kësaj çështjeje nuk është në dijeni me përmbajtjen e shkrimeve dhe deklaratave që kundërshtuan idenë serbe për ndarjen e Kosovës, ide që është kamufluar kohëve të fundit me plafin e “korrigjimit të kufijve”? Unë jam njëri nga ata që publikisht kam kundërshtuar mënyrën se si Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë mundohen ta përmbyllin këtë fazë bisedimesh. Në prezantimet në Kuvendin e Kosovës, në shkrimet autoriale, në intervista dhe debate televizive çdo kush ka mundur të bindet se në qëndrimet e mia ka një qartësi për atë me të cilën nuk pajtohem.
Në shkrimin propagandistik që mban emrin e Adri Nurellarit nuk del qartë se cili është mendimi i tij për idenë e moçme serbe për ndarjen e Kosovës. Nga shkrimi i lartpërmendur shihet qartë se ai nuk ka guxim të del hapur në mbështetje të idesë për “korrigjimin e kufirit”. Në këtë rast do të thoja se në nëndijen e z. Nurellari është i ngulitur fakti se kjo nuk është ide e Hashim Thaçit. Nuk do ta them një gjë të tillë nga “frika” se mund të më akuzojë se si “anti-thaçist” që qenkam, merrem me psikologji-psikiatri”.