Logorreja dhe “kapsllëku” i ideve konstruktive! 

11 shtator 2024 | 15:07

Bardhyl Mahmuti

Në një kontekst shoqëror, ku sindromi i Fregolit ka prekur një numër të konsiderueshëm njerëzish, janë plotësisht të kuptueshme të gjitha llojet e reagimeve ndaj shkrimeve që nuk përputhen me bindjen e krijuar, se kundërshtari i tyre politik, Edi Rama, është transformuar në shtatore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dhe që nga Hora e Arbëreshëvet përtej detit i persekuton… Rrjedhimisht, edhe reagimet ndaj shkrimit tim për këtë vepër artistike i kam parë në këtë kontekst.

Nga pakënaqësitë që ka shkaktuar shkrimi im i titulluar “Shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe sindromi i Fregolit”, kam përzgjedhur reagimin e Dritan Goxhajt, për arsye se shkrimi i tij nxjerr në pah disa simptoma të kësaj sëmundjeje mendore.

Që të kuptohet në tërësi prekja e tij nga sindromi i Fregolit, po sqaroj lexuesit që nuk janë në dijeni, se më 31 korrik të vitit 2023, ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, u arrestua padrejtësisht nga autoritetet e Shqipërisë, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Fatmirësisht, Gjykata e Apelit e Tiranës refuzoi ekstradimin e tij në Hagë dhe, pas shumë presioneve dhe vuajtjeve që përjetoi ai dhe familja e tij, më në fund u lirua.

Duke pasur parasysh këtë të dhënë, kur lexova reagimin e tij, m’u kujtua një miku im, që kishte reaguar ndaj atyre, që prapa çdo gjëje shihnin fytyrën, dorën apo hijen e Edi Ramës. Për arsye se nuk dëshiroj ta përfshij në këtë polemikë, po e parafrazoj reagimin e mikut tim B.H.: “Reagimet e atyre që në shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut shohin fytyrën e Edi Ramës, më kujtuan kohën kur pushtuesit serbë na kishin ndaluar të presim dru në pyjet tona, për t’u ngrohur në dimrin e acartë. Nga frika se mund të zbuloheshim, kur futeshim “ilegalisht” në pyll çdo lis na dukej si fytyra e rojtarit të pyllit”. 

Prandaj simptomat paranojake që dalin në pah në reagimin kundër shtatores së realizuar nga artisti Gëzim Muriqi, rrjedhimisht edhe replika e Dritan Goxhajt kundër shkrimit tim, janë të kuptueshme: gjithkund shohin fytyrën, zërin, dorën dhe hijen e “persekutorit të tyre”!

Një karakteristikë e të prekurve nga sëmundja mendore e sindromit të Fregolit, është vjellja kundër atyre që nuk e interpretojnë realitetin sipas psikozës së tyre. Ankthi që i kaplon nga paranoja e “persekutorit”, që i ndjek dhe që shfaqet gjithandej për t’i torturuar, u bllokon kapacitetin e trurit për të menduar në mënyrë konstruktive dhe u shkakton një jashtëqitje nga goja të asaj që kanë në bark! Me një fjalë, si pasojë e “kapsllëkut” në kokë, shpërthejnë në logorre (diarre e fjalëve)!

Në kuadër të kësaj logorreje, Dritan Goxhaj i referohet “psikologjisë së aviacionit” dhe, nëpërmjet saj, dëshiron të shpjegojë “llogjikën” që kam përdorur “si mekanizëm mbrojtës” për “të justifikuar aktin si për veten time, ku kam qenë pjesëmarrës në këtë ceremoni, i ftuar nga vetë autori i shtatores, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë”.

Për hir të korrektësisë ndaj lexuesve, po sqaroj se për pjesëmarrjen në manifestimin madhështor të inaugurimit të shtatores në fjalë nuk kam pasur ftesë personale as nga autori i shtatores, siç shpif Dritan Goxhaj, as nga shoqata “Hora e Skënderbeut”, që organizoi mbledhjen e mjeteve financiare për realizimin e kësaj shtatoreje, dhe as nga nikoqiri i këtij manifestimi, kryetari i bashkisë Hora e Arbëreshëvet. Së bashku me bashkëshorten time kemi shkuar privatisht si shqiptarë, pasi u informuam nga mediet për organizimin e këtij manifestimi të organizuar në mënyrë të përkryer.

Mirëpo, të gjithë “shokët” dhe bashkëveprimtarët me të cilët kemi vepruar në kuadër të “lëvizjes politike ‘ilegale’- LPK-së”, e dinë fare mirë se, edhe në rast se do të kisha qenë i ftuar nga artisti Gëzim Muriqi, të cilin nuk e kam njohur dhe nuk e kam takuar asnjëherë përpara se të realizonte skulpturën e mrekullueshme të shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, nuk do të heshtja për ngjashmëritë eventuale të pamjes së shtatores së Heroit Kombëtar me të ndonjë personaliteti politik. Unë kam folur dhe ngritur zërin edhe në kohën kur në trojet shqiptare nën Jugosllavi, siç thuhet në Kosovë,  “pasuli numërohej kokërr për kokërr”, e jo sot, ku e drejta për të shprehur mendimin i ka mundësuar lloj-lloj mushke të livadhisë si t’ia dojë qejfi.

Në vend që të lëshohet për së rrafshi dhe të shohë iluzionin e provokuar nga paranoja e të persekutuarit, Dritan Goxhaj ngjitet në qiell dhe harron se psikologjia e aviacionit, si drejtim i psikologjisë së aplikueshme, ka për qëllim të sensibilizojë pilotët për rreziqet që ndërlidhen me iluzionet që shfaqen si rezultat i ndërveprimit kompleks të fizikës, perceptimit njerëzor dhe teknologjisë, kur ata lundrojnë në qiell. Fatkeqësisht, edhe kur “zbret në tokë”, paranoja e pengon Dritan Goxhajn të lirohet nga “fjalët në hava”.

Ai harron kontekstin kohor dhe hapësinor ku ndodhet dhe nxjerr nga arsenali paranojak kërcënimin si “mekanizëm mbrojtës, duke vringëlluar Kodin Penal: “Në Republikën e Shqipërisë ka një nen në Kodin Penal që mbron cenimin e simboleve dhe emblemave kombëtare, dhe duke qenë se ju, por edhe të gjithë ne, e konsiderojmë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun si Emblemë Kombëtare, çdo lloj simboli që nuk puqet me historiografinë e kohës dhe të Shqipërisë është cenim i kësaj embleme”! “Dhe shoku Bardhyl – vazhdon Dritan Goxhaj, – është marrë vetëm me ujkun, duke anashkaluar total yllin e Davidid në mburojën e Skënderbeut. Në asnjë riprodhim të sajin dhe as në versionin e saj origjinal nuk mban kjo mburojë një yll mbi kokat e shqiponjës. Edhe në këtë rast është tentuar të cënohet jo pa qëllim flamuri ynë kombëtar, kur dihet që flamuri ynë është flamuri i Skënderbeut”.

Mbetet e paqartë nëse Dritan Goxhaj kërcënon me nenin 268 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të vitit 1977, që sanksiononte masat ndëshkuese me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj, për ata që cenonin simbolet kombëtare, në mesin e së cilave edhe flamurin kombëtar. Në rast se i referohet këtij kodi penal, atëherë Dritan Goxhaj, që konsideron se “flamuri ynë kombëtar është flamuri i Skënderbeut”, duhet ta ketë të vështirë të argumentojë se çfarë kërkonte ylli i kuq komunist me pesë cepa mbi shqiponjën e zezë dykrenore, sepse ky kod penal mbronte flamurin e  përkufizuar me nenit 108 të Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të vitit 1976, ku flamuri ynë kombëtar “paraqet një fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes, mbi të cilën është një yll i kuq me pesë cepa, qëndisur rreth e rrotull në ngjyrë ari”. Ndërkaq, nëse u referohet kodeve penale pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, ato sanksiononin cenimin e flamurit të përkufizuar në nenin 14 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të miratuar me referendum në vitin 1998, ku “flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes”.  

Dritan Goxhaj do ta ketë të vështirë të sqarojë gjithashtu se, përveç ngjyrës së zezë, çfarë ka të përbashkët shqiponja e flamurit kombëtar të ngritur më 28 nëntor 1912, me shqiponjat e flamurit të periudhës komuniste dhe asaj postkomuniste. Sidoqoftë, uroj të mos i shpallë të dënueshme me “kodin e tij penal”, për shkak se nuk kanë asgjë të përbashkët me shqiponjën e bardhë ose ngjyrë bronzi të vulave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, apo me yllin gjashtëcepash mbi shqiponjën dykrenore të vulës së Gjegj Kastriotit-Skënderbeut dhe ujkun nën kthetrat e shqiponjës në vulën e dytë të Heroit Kombëtar.

May be an image of text

Mund të jetë një imazh i teksti

Simbolet kombëtare janë rezultat i raportit të forcave në një kontekst të caktuar shoqëror dhe historik dhe duhet të vlerësohen në përputhje me rrethanat përkatëse. Ndërkaq, prezantimi artistik i simboleve është e drejtë ekskluzive e artistëve, pa marrë parasysh nëse dikujt i pëlqen apo nuk i pëlqen. Dritan Goxhaj duhet ta dijë se koha e diktateve të “llogjikës” së Andrei Zhdanovit, që veprat artistike të bëhen në përputhje me shijen dhe pikëpamjet ideo-estetike të Generalisimusit, ka perënduar përgjithmonë. As përdorimi i fjalës “shok”, as transkriptimi fonetik në variantin sllav “llogjikë” për fjalën “logjikë”, dhe as ëndrrat e tyre nostalgjike për të kaluarën nuk mund ta kthejë rrotën e historisë prapa! Ka vdekur njëherë e përgjithmonë periudha e “llogjikës” së diktatit dhe e kërcënimeve me kode penale ndaj artistëve!

Nëse Dritan Goxhaj dhe njerëzit e së njëjtë “llogjikë” nuk shohin simbolikën e lëkurës së ujkut të rrjepur mbi supin e shtatores së skulpturuar nga Gëzim Muriqi si një ndër elementet që paraqesin origjinalitetin e prezantimit artistik të figurës emblematike kombëtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por shohin Edi Ramën me lëkurën e dhelpërakut në shpatullat e tij, është mirë t’i drejtohen Doktorit dhe të gjejnë “shërim” të përbashkët nga epidemia e sindromit të Fregolit!

Sa më përket mua, asnjë element artistik në realizimin e Gëzim Muriqit nuk cenon Emblemën tonë Kombëtare! Përkundrazi! Origjinaliteti i punës së artistit e nxjerr figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga “llogjika” e moçme e perceptimit uniform dhe e mishëron me gjeneratat e reja!

Madje edhe në rast se Gëzim Muriqi do të kishte vënë nën këmbën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut puplat e ndonjë huti, nuk do ta cenonte aspak Heroin Kombëtar, por do t’i jepte një dimension artistik, që do ta ndërlidhte me aktualitetin që po kalojmë si shoqëri, ku lloj-lloj HUTI i jep të drejtë vetes të përdhosë një vepër artistike!

P.S. 

Fatkeqësisht Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk ka lënë ndonjë sqarim a porosi për Dritan Goxhajn, për arsyet e vendosjes së yllit me gjashtë cepa në njërën vulë dhe ujkun nën kthetrat e shqiponjës në vulën tjetër! Kjo do t’i kishte mundësuar “shokut” Dritan t’i jepte përgjigje fëmijës së tij 7-vjeçar” për këto çështje. Sa për arbëreshët, nuk kemi përse të brengosemi: ata e bartën në shpirt figurën e Heroit tonë Kombëtar dhe ua përcollën brez pas brezi edhe shqiptarëve të trojeve të tjera etnike.

Histeria paranojake që ka kapluar të sëmurët mendorë nga sindromi i Fregolit më kujtuan një barsoletë të viteve ‘90-të, të asaj kohe kur polarizimi ndërmjet Sali Berishës dhe Fatos Nanos kishte arritur kulmin.

“- Doktor, kanë vrarë Fatosin!”

“- E ka vrarë Nano!”, u përgjigj Doktori!

Me kaq i jap fund çështjes që lidhen me shtatoren e madhërishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të realizuar nga Gëzim Muriqi.

Respekt pa fund, Maestro! 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Besa…