Loja me Klan Kosovën, aferat korruptive, dorëzimi dhe poshtërimi në veri të Kosovës!

04 gusht 2023 | 12:22

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Qytetarët e Kosovës, kohëve të fundit ishin shikues të hutuar të një shfaqjeje të stisur dhe të menaxhuar mirë; “përpjekjes“ pushtetit që ta mbyllur  Klan Kosovën e që automatikisht “ngjalli“ veprimin opozitar , të shoqërisë civile dhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtarëve për mbrojtje të lirisë së mediave. Domosdoshmërisht edhe të Flutura Kusarit. E tërë kjo u bë me MINT-in si ekzekutor i një vendimi më lartë, mbase nga kreu. Unë, në asnjë çast nuk isha i bindur se Klan Kosova mund të mbyllet sepse pozita në tërë dimensionin e papërgjegjësisë, arrogancës, mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, nuk është aq e marrë ta bëjë këtë veprim që do t’i kthehej si bumerang me një kosto shumë më të lartë se që do të ishte investimi. Aferat ku dyshohet se mund të ketë pasur korrupsion të lartë , sidomos në MINT u zhvendosën nën mrizin e heshtjes duke e plasur një bombë siç ishte “mbyllja” e Klan Kosovës. Dhe, e tëra kjo përfundon me vendimin e Gjykatës Komerciale që , me një infuzion juridik e lë çështjen hapur duke ia “zgjatur” jetën Klan Kosovës. Prandaj, pa asnjë dyshime konsideroj çështjen e Klan Kosovës së të mbyllur nga e cila kanë përfituar të gjitha palët; pozita kinse po ushtron zbatim të ligjit përmes një patriotizmi folklorik, opozita e defaktorizuar kinse po vdesë për liri të mediave, shoqëria civile kinse po vdesë për mbrojtje të demokracisë, ndërkombëtarët që po na fusin kepën në veri tash po i mbrojnë mediet nga pozita që është partner aktiv i ndërkombëtarëve që, përmes përshkallëzimit të rremë në veri të Kosovës t’i realizojë projektet e dëmshme politike për Kosovën që i garanton pushtet, ndonëse deri në fyt janë zhytur në parregullsi, nepotizëm, klientelizëm, korrupsion dhe shkelje të Kushtetutës. Tash, në një mjedis krejtësisht jotransparent, persona të papërgjegjshëm dhe të paaftë profesionalisht për bisedime, mashtrues dhe injorantë ordinerë bëjnë marrëveshje për depërshkallëzim duke dhunuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Para se të shpalleshin zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, kishte rekomandime nga organizatat që kanë ekspertizë për zgjedhje se në rrethanat e krijuar nuk ka kushte për organizim të zgjedhjeve nga të cilat do të del një përfaqësim legjitim dhe i pranueshëm për shumicën e votuesve – qytetarëve të Kosovës. Institucionet e Kosovës i shpallën këto zgjedhje që u bojkotuan nga 95 për qind e votuesve, i pranuan rezultatet e zgjedhjeve sikur që trimëruan “ kryetarët” e zgjedhur  të qëndrojnë dhe punojnë në zyra të cilat, fillimisht ruheshin nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e pastaj nga KFOR-i që e rriti praninë duke marrë edhe kompetenca policore. Tash, pas tërheqjes së Policisë së Kosovës nga objektet e komunave në veri të Kosovës, herë flitet për 25%, pastaj për 50% (askush nuk e di numrin e saktë të policëve të tërhequr) ndërsa kushti i serbëve është që të tërhiqen të gjithë, EULEX-i ka marrë përgjegjësi absolute për sigurinë duke e zhvendosur dhe defaktorizuar policinë e Kosovës,deri në përjashtim dhe shpërfillje, në emër të Marrëveshjes së Bratisllavës e nënshkruar nga mashtruesi i Muçiverces.

Ministrat mashtrues që trimëronin “kryetarët” e komunave në veri të qëndrojnë në zyra dhe të punojnë në përputhje me “mandatin”, tash, pa asnjë fije turpi dhe përgjegjësie institucionale, profesionale dhe personale, po kërkojnë mënyra që t’i deligjitimojnë, qoftë përmes shkarkimit me një Udhëzim Administrativ (pse të shkarkohen), qoftë duke i detyruar të japin dorëheqje. Në të njëjtën mënyrë po veprojnë edhe me Policinë e Kosovës.

Minimumi i ndershmërisë profesionale, institucionale dhe personale , hiç këtu atë morale që është e panjohur  do të duhej t’i detyronte që ta pranojnë se problemin e kanë shkaktuar vet, se problemi është krejtësisht i natyrës politike dhe ashtu duhet edhe ta zgjidhin! Tash, një ministër tipik bedel , Faraoni i Pushtetit Lokal , Elber Krasniqja nuk po hapë shtigje për të qëndruar , shkuar para , për ta shtrirë sovranitetin por si ta ruaj prapanicën e vet duke i turpëruar katër kryetarët e komunave të veriut të Kosovës .

Ku është marrja për këtë zbothje:  Atiqi i LV-së u tregua më ambiciozi duke shpalosur plane që asnjë kryetar i zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe për dy mandate nuk do të kishte mundësi t’i realizonte. Bëri kërkesë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe këtë kërkesë faraoni i pushtetit lokal, në rastin më të mirë mund ta përdorë për qëllime higjienike. Shkuan ministra për ta vizituar madje edhe duke e rrezikuar jetën edhe Atiqin edhe Lulin – Oso Kukën e Leposaviqit (fshat afër Vraninës)  për t’iu dhënë zemër që nuk e kishin as për vete, u përzënë nga ushtarët e KFOR-it por ua dërguan porosinë e shefit nr.1, Albin Kurtit, kryeministër dhe shefit nr. 2 Babushka ideologjike e LV-së, me prejardhje nga andartët grekë. Në kohën kur Atiqi vepronte si telefon mobil duke lëvizur në përputhje sa kishte qasje në rrjet, Oso Kuka i Leposaviqit u ngujua në komunën e Leposaviqit ku priste palë, ministra, deputetë apo postonte në rrjete sociale për gjininë e bukur dhe afinitetet e gastronomisë. Këta të PDK-së, Zeqiri dhe Peci u takuan me ambasadorin amerikan dhe pranuan të punojnë edhe në zyrat e Madagaskarit, por jo edhe në zyrat komunale.

I pranuan kushtet e ambasadorit, ndërsa këta të LV-së si koçemëdhenjë që janë nuk gjetën kohë as për ta takuar ambasadorin amerikan, thjesht deklaruan se ishin të zënë me punë tjera. Realisht, për persona të përgjegjshëm në komuna ka shumë punë e sidomos muajve të verës kur diaspora kthehet në Kosovë për pushime. Këta të LV-së nuk e dinë çka është dorëheqja, as si akt moral e as si detyrim ligjor përveç nëse ua kërkojnë këtë shefat, Albini dhe Babushka ideologjike. E duket se do ua kërkojnë, jo drejtpërdrejtë por përmes faraonit të pushtetit lokal i cili, ndonëse është analfabet politik paska filluar ta shkruaj një Udhëzim Administrativ me të cilin do t’i shkarkojë këta kryetarë që aq shumë punuan këta muaj.

Për Atiqin nuk paraqet asnjë problem sepse përshtatet në të gjitha regjimet mirëpo, për Oso Kukën është një fund i palavdishëm, madje edhe turpërues; mund të qëndrojë edhe më shumë se 100 ditë i ngujuar në Komunën e Leposaviqit, i gatshëm për sakrificë që do t’ia kalonte edhe origjinalit Oso Kukës në Kullën e Vraninës për t’u detyruar t’i mbledhë plaçkat në bazë të një cope letre e nënshkruar nga një bedel siç është faroni. Këta të PDK-së po tregohen bashkëpunues, Zeqiri deklaron se mund të dorëhiqet pa asnjë problem, kurse Peci për dallim nga ai Peci tjetër po del të jetë fort i vendosur; pa marrëveshje politike, nuk ka dorëheqje. Shumë analistë dhe humbëskohe po deklarohen se dorëheqja është zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë dhe më e lehtë , sigurisht më e lehtë , për të shkuar në zgjedhje tjera ku Lista Serbe do të rikthehet në pushtet.

Lista Serbe u ftua në Uashington në takim me zyrtarët amerikanë kurse “serbët e Kurtit”, Rashiqi dhe Trajkoviqka po ua mbajnë zhagun deklarimeve të Petkoviqit dhe të Vulinit. Këta që po i detyrojnë kryetarët e komunave të tërhiqen apo të shkarkohen janë pa pikë fytyre sepse vet i futën në zjarr. Kryetarët që do të pranojnë të deligjitimohen me një copë letre apo duke iu nënshtruar presionit, nuk meritojnë trajtim më të mirë. Të gjithë po e kërkojnë dhe pëlqejnë rrugën më të lehtë edhe për të qëndruar në pushtet edhe për të ardhur në pushtet. Në këtë kontekst, opozita ka luajtur që nga fillimi në kartë të djegur se Albin Kurti do të refuzojë çdo marrëveshje prandaj do të detyrohet të jep dorëheqje ose do të shkarkohet nga ndërkombëtarët.

Prej fillimi kam shkruar se Albin Kurti kurrë nuk do të jep dorëheqje aq më parë që nuk ka lënë mënyrë pa përdorur për të ardhur në pushtet. Dhe, dihet mirëfilli se dikush që përdorë aq shumë mund për të ardhur në pushtet, nuk do të lë mënyrë apo mjet për të përdorur për të mbetur në pushtet. Prandaj është i rrethuar me mediokër dhe injorantë, me të tillë që asgjë nuk kanë bërë personalisht dhe familjarisht as për Kosovën e as për shqiptarët. Përkundrazi, vet dhe familjarisht qençe i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë, edhe më qençe i shërbejnë sot të gjithë atyre që ua mundësojnë të mbesin në pushtet .

Kosovës i  duhet një unitet dhe pajtueshmëri midis subjekteve politike, jo për të arritur një marrëveshje të mirë me Serbinë, por që të sigurohemi se humbjet do të jenë sa më të vogla dhe sa më të përballueshme. Të menaxhohet një humbje e pashmangshme ku veriu i Kosovës vetëm formalisht do të jetë brenda Kosovës kurse me mendje, shpirt dhe veprim do të jetë i orientuar kah Beogradi. Kosova ka nevojë për politikanë që jetojnë, veprojnë dhe perspektivën personale dhe familjare e kërkojnë dhe e gjejnë në Kosovë. Kosova nuk ka nevojë për qeveri të baushtellës që në Kosovë vetëm e bëjnë gjumin dhe e mbushin xhirollogarinë kurse familjen dhe ardhmërinë e kanë në shtetet tjera.

Këta, në fakt asnjë cilësi në qeverisje nuk ia kanë sjellë Kosovës për faktin se kanë ardhur sipas linjave të klanit dhe nepotizmit. Kurrë Kosova nuk ka pasur ministra më të padijshëm , më mediokër dhe më të papërgjegjshëm se që i ka tani. Kurrë Kosova nuk ka pasur deputetë më të papërgjegjshëm, më të padisiplinuar dhe më të dobët intelektualisht se që janël tani prandaj e kemi një Kuvend si e kemi. Edhe Kuvendi i Hajkobillës është më profesional dhe më i përgjegjshëm.

Me zbythjen e turpshme në veri të Kosovës, me mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim midis pozitës dhe opozitës , me një qeveri të baushtellës dhe me një Kuvend shumë nën nivelin e Kuvendit të Hajkobillës, Kosova si shtet ka gjasë të ikën për lesh. Kosova ka mungesë të autoritetit moral dhe politik që do të pranohej nga të gjithë apo, së paku nga shumica. Të tillë sot nuk ka. Para se të bëjë Kosova marrëveshje me Serbinë, duhet ta bëjë një marrëveshje me Shqipërinë. Para se ta bëjë Albin Kurti një marrëveshje me Vuçiqin, duhet ta bëjë një marrëveshje me Edi Ramën.

Nuk ka rrugë dhe mundësi tjetër sepse Shqipëria është toka, qielli, ajri dhe uji i Kosovës! Është kusht i domosdoshëm për mbijetesë të Kosovës në të kundërtën do të shndërrohemi në një mbetje mortore të një shteti eksperimental!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Remzi Osmani, xhaxhai i Marigona Osmanit, ka thënë se nuk…