“Loja” me territorin e Kosovës nuk është temë dosido, është çmenduri
Teuta Haxhiu
Deklarimet e pamatura dhe “loja” me territorin e Kosovës nuk janë temë dosido, janë çmenduri.
Kjo “lojë” nuk është as më pak e as më shumë se sa luftë, sepse kufijtë janë vendosur me sakrificë të madhe, me jetët e njerëzve tanë. Ndërsa pasojat siç e dimë të gjithë, ende jemi duke i vuajtur. Unë nuk e di se kujt tjetër po i përshtaten këto lojëra, përveç Serbisë. E cila rri e bën “sehir” që hapin e parë ta hedhin shqiptarët. Kjo, për ne është e papranueshme.
Lëvizja e kufijve, do të thotë luftë e re në Ballkan. Për këtë duhet të jenë të gjithë të vetëdijshëm. Kosova është shpallur e pavarur dhe është njohur ndërkombëtarisht me këtë territor. Lufta e përbashkët e UÇK-së dhe NATO-s e ka vendosur gjendjen dhe përkufizimin e saj territorial.
Hapja e diskutimeve kundër këtij realiteti për tërësinë tonë territoriale e ndryshon këtë gjendje, këtë realitet. Prandaj është e papranueshme për popullin e saj. Kthimi prapa në kohë, sidomos në mjegullën që ta zë frymën e të mbyt është më shumë se tragjedi.
Askush nuk e ka këtë të drejtë, asnjëherë. Nuk e ka pra, as presidenti dhe askush tjetër. Kosova, kjo që e kemi ndërtuar të gjithë, me mund të madh, me djersë e me gjak, sot është demokratike, i ka institucionet e saja. E mbi të gjitha e ka Kuvendin dhe e ka Kushtetutën e saj. Asnjë lëvizje apo shkelje e saj, në asnjë rrethanë nuk do të lejohet, sepse Kosova i ka përfaqësuesit e saj legjitim.
Unë, jam vetëm njëra prej tyre, prandaj me zërin e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë njerëzore, kombëtare e Kushtetuese u bëj thirrje të ndalen të gjithë ata që janë futur në këto ujëra të turbullta të cilat nuk sjellin gjë tjetër, përveç katastrofave. Në rastin tonë katastrofave në Ballkan.
Serbia dhe aleatët e saj, asnjëherë nuk kanë pushuar së hartuari elaborate për shfarosjen e shqiptarëve dhe plane për copëtimin e tokave tona.
Plane të cilat miqtë e Kosovës i kanë kundërshtuar e po i kundërshtojnë vazhdimisht, madje edhe duke zbardhur skenarë dhe detaje të tilla.
Kosova ka bartur mbi supet e saj shekuj të tërë me tragjedi, ndaj nuk ka kohë për kalkulime të tilla të çmendura.
Kosova, pra ka nevojë për ide të reja e kreative që ndihmojnë zhvillimin e saj ekonomik – aq të domosdoshëm. Kosova ka nevojë për shëndetësi, për infrastrukturë, ka nevojë që njerëzve të saj, sidomos të rinjve t’iu krijoj hapësirë për punë dhe prosperim, për ndërtimin e një jete të re për të gjithë qytetarët e saj.
Mbi të gjitha Kosova ka nevojë për arsim cilësor i cili do të garantonte sjellje dhe lëvizje të shëndosha të njeriut tonë, në raport më zhvillimet globale në përgjithësi. Këtë duhet ta di çdonjëri prej nesh dhe të punojë pandërprerë në këtë drejtim.
Këtë duhet ta di, edhe Hashim Thaçi.
(Autorja është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK)